TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Vajza e re Xhisiela Maloku, e cila denoncoi djalin e deputetit socialist Rrahman Rrahja ka folur në një intervistë për Report TV pasi emri i saj nisi të lakohej me publikimin e letrës së ish-nënkomisarit të policisë Emiljano Nuhu.
Nuhu me anë të një denoncimi tronditës, pretendon se vajza u përdhunua dhe se eksponentë të PS-së, mes të cilëve Taulant Balla, Artur Bushi dhe Rrahman Rrahja, e kërcënuan për të mos hetuar ngjarjen.
Xhisiela Maloku, në mënyrë shumë të papritur, i rrëzoi të gjitha pretendimet e ngritura nga ish-oficeri i policisë, por pa zbuluar arsyet që e detyruan të tërheqë kallëzimin në polici për djalin e deputetit pavarësisht se akuzat ishin shumë të rënda.
Në dëshminë e parë të saj vajza kishte thënë se ishte rrëmbyer me forcë në makinë nga Rexhep Rrahja, djali i deputetit socialist. Më pas ajo kishte deklaruar se duke e dhunuar dhe bërë presion, Rexhepi e kishte çuar në një dhomë hoteli ku i kishte kërkuar që të kryenin marrëdhënie seksuale, por nuk ia kishte dalë pasi vajzës i kishte rënë të fikët. Sipas të njëjtës deklaratë ai e ka djegur me cigare, e ka kërcënuar me pistoletë dhe e ka goditur disa herë.
Por i gjithë ky rrëfim, i ngjashëm me një film horror, u hodh poshtë vetëm pak orë më pas nga vetë vajza që kishte shkuar në polici për të tërhequr denoncimin. E pyetur për arsyet që e çuan të tërhiqte denoncimin, Maloku tha se donte ta mbyllte këtë histori.
“Shkova në SHKB, për të tërhequr kallëzimin. Unë u sqarova me personin në fjalë, dhe donim ta mbyllnim të dy këtë gjë. Më pas shkova në SHKB në Durrës. U tërhoqa, pasi isha e ngarkuar emocionalisht nga të gjithë ngjarjet që kishin ndodhur. Pashë mesazhet te Berisha, kishte dalë në media. Doja ta mbyllja” – tha vajza.
Në intervistën e saj ajo ka shfajësuar edhe të gjithë emrat e politikanëve të përmendur nga ish-zyrtari i policisë në letrën e tij të dorëheqjes. Maloku hodhi poshtë deklaratat se në Komisariat ndodheshin deputetët socialistë, Taulant Balla dhe Rrahman Rrahja, si edhe kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, edhe pse sipas dëshmisë së nënkomisarit, ajo nuk ka qenë prezente në zyrën e tij në momentin kur ka ndodhur kërcënimi.
Njëlloj si në deklaratën e policisë vajza thotë se ish-oficerin Nuhu e ka takuar për herë të parë në 27 korrik, 7 ditë pas denoncimit dhe vajtjes së saj në komisariatin e Krujës.
“U ndamë për arsye personale” – tha vajza për shkëputjen e lidhjes me djalin e deputetit, që mesa duket paskan qenë “arsye të forta”.
Nga ana tjetër, duket se hetimi i policisë dhe prokurorisë është mbyllur menjëherë, pas tërheqjes së kallzimit nga ana e vajzës. Tërheqja e dëshmisë nga ana e saj mund të ketë ardhur si pasojë e presionit apo kërcënimeve, siç ndodh shpesh në rastet e dhunës seksuale apo dhunës në familje, mes personave që e njohin njëri tjetrin. Raste të tilla të tërheqjes së denoncimeve ndodhin edhe në vendet perëndimore. Në Mbretërinë e Bashkuar, në pjesën dërrmuese të rasteve të dhunës në familje apo marrdhënieve mes të dy të partnerëve, gratë tërheqin akuzat, por policia dhe prokuroria vijojnë hetimet, për shkak se në pjesën më të madhe të rasteve dëshmia tërhiqet si pasojë e presioneve.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria, ka detyrimin të hetojë ngjarjen edhe sipas ligjit shqiptar, pavarësisht se vajza ka tërhequr denoncimin e saj. Pretendimet e saj të mëparshme janë shumë të rënda dhe duhet të jenë indicie për hetim të plotë.