AKTUALITET, 23 Tetor 2020, 10:47

Ambasada PINK kërkesë Ministrisë së Drejtësisë: Personave LGBTI t’u jepet e drejta e birësimit të fëmijëve

Ambasada PINK kërkesë Ministrisë së Drejtësisë:


Ambasada PINK në Shqipëri, i ka nisur kërkesë Ministrisë së Drejtësisë që personat LGBTI të gëzojnë të drejtën e birësimit të fëmijëve dhe barazisë në martesë.

Nisur nga propozimet që Ministria e Drejtësisë ka paraqitur për konsultim së fundi për disa ndryshime dhe përmirësime në ligjin për birësimet dhe në Kodin e Familjes, Ambasada PINK kërkoi që ndryshimet e propozuara të eliminojnë diskriminimin e hapur që iu bëhet personave LGBTI, si në Ligjin e Birësimeve ashtu edhe në Kodin e Familjes.

Gjatë takimit të fundit konsultues që u zhvillua midis përfaqësuesve të ministrive dhe OSHC-ve, Ambasada PINK paraqiti publikisht kërkesën e saj për eliminimin e të gjitha barrierave apo edhe atrificave ligjore që ligji shqiptar vijojnë të mbajë vetëm ndaj personave LGBTI.

Ministria e Drejtësisë prej disa javësh ka hapur procesin e konsultimit publik për dy ligje të rëndësishme që kanë të bëjnë me familjen, atë të birësimit të fëmijëve dhe vetë kodin e familjes.

Sot në Europë 26 Shtete njohin barazinë në martesë dhe bashkëjetesë: 14 shtete zyrtarisht njohin barazinë në martesën civile në seks të njëjtë dhe 12 të tjera njohin bashkëjetesën civile.