TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla është arrestuar pasi Apeli la në fuqi dënimin me 1 vit burg për korrupsion aktiv në zgjedhje në bashkëpunim, dhënë nga Gjykata e Posaçme më 24 janar të vitit 2025.
Memolla është vetëdorëzuar ditën e djeshme pas vendimit të gjykatës bashkë me dy bashkëpunëtorë të tij, Blerim Xhamani dhe Ndriçim Tafxhafa.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës ekzekutuan vendimin e datës 09.02.2026, të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka dënuar me nga 1 burgim, shtetasit E. M., 39 vjeç, B. Xh., 48 vjeç dhe N. T., 54 vjeç, banues në Rrogozhinë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim”, njofton policia.
Si dënim plotësues, gjykata vendosi t’i heqë Memollës edhe të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Me 1 vit burg është dënuar edhe i pandehuri Blerim Xhamani, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumentave” kryer në bashkëpunim, si edhe Ndriçim Tafgjata, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Ndërsa Isuf Tosku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, u dënua me 8 muaj burg, dënim që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për 1 vit e 4 muaj.
Hetimet për kryebashkiakun e Rrogozhinës nisën pasi në media u publikua një audio përgjim ku siç thotë SPAK, dëgjohet Edison Memolla në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, duke ndikuar tek një punonjës i OSHEE , për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, në mënyrë që ajo të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022, ku ai garoi nën siglën e Partisë Socialiste.
Kujtojmë që SPAK përfundoi hetimet për çështjen në ngarkim të kryetarit të bashkisë Rrogozhinë më 2 nëntor 2023.