TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Partia Demokratike do të mbajë sot protestën e radhës para Kryeministrisë. Për të garantuar rendin dhe sigurinë, 1350 efektivë do të jenë në terren.
Opozita zhvillon këtë të martë (10 shkurt) protestën kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pas njoftimit nga ana e demokratëve, Policia e Shtetit ndërmori një plan masash për mbarëvajtjen e protestës e cila do të mbahet në orën 18:00 përpara Kryeministrisë.
Rreth 1350 forca policore do të jenë në gatishmëri për të siguruar gjithë mbarëvajtjen e protestës, autobote dhe gjithashtu gaz lotsjellës në rast se do të ketë përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Policia e Tiranës ka njoftuar masat e sigurisë dhe kufizimet në trafik në prag të protestës së thirrur nga Partia Demokratike për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit dhe sigurinë publike.
Ndërkohë, për garantimin e sigurisë do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;
-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.