TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu informoi sot mbi situatën e zjarreve në vend, ndërsa u shpreh se vijon ndërhyrja në Gramsh, Delvinë, Finiq, Syrin e Kaltër dhe në Tiranë.
Në një prononcim për mediet nga Delvina, Vengu theksoi se “kemi pasur evakuime të përkohshme, por banorët janë kthyer në banesat e tyre”.
Sipas ministrit, në Delvinë rezultojnë 4 banesa të djegura, dy prej tyre të banuara dhe dy të braktisura.
“Dy banesa janë në lagje të Delvinës dhe dy në lartësitë e fshatrave. Ndërsa në rang vendi na duhet ende të bëjmë një analizë përfundimtare në zonat më masive ku na është dashur të bëjmë evakuime të përkohshme si në Delvinë, Finiq dhe Gramsh. Fshatrat e Gramshit kanë banesat më të prekura por shifrat ekzakte do të jepen pasi të përfundojnë verifikimet në terren”, shtoi ai.
Sipas ministrit, ka tre zona që mbeten ende në një monitorim të fortë me vigjilencë të lartë.
“Vazhdojmë të jemi të angazhuar në Gramsh për të hequr çdo vatër të mundshme. Falë ndërhyrjes masive nga ajri me katër helikopterë të dedikuar sot dhe me një punë intensive nga toka kemi bërë të mundur që vatra e Gramshit të fiksohet dhe nuk konstatojmë përhapje të saj. Ky është hap pozitiv”, tha ai.
Në bashkitë Delvinë dhe Finiq, Vengu tha se ka ende disa vatra. “Kemi ende një situatë në Syrin e Kaltër ku kemi forca të dislokuara. Era është në favorin tonë, por nesër në mëngjes duhet të bëjmë rishpërndarjen e forcave ajrore për të ndërhyrë në këto zona. Kemi edhe një situatë në Tiranë ku duhet të jemi vigjilent është jashtë zonave të banuara”,tha ai.
Vengu u shpreh se “kemi shumë mësime të nxjerra nga menaxhimi i krizave të emergjencave civile, qoftë të përmbytjeve apo zjarreve masive të këtij sezoni”.
“Na duhet patjetër që të rishikojmë mënyrën se si bëjmë kalkulimin e fondeve financiare që shkojnë te bashkitë. Përkatësisht për momentin bëhet në bazë banorësh të bashkive, por konstatojmë se ka bashki që kanë një risk më të lartë. Bashkia e Delvinës mund të ketë më pak banorë, por ka një shtrirje territoriale dhe ka një risk më të lartë. Kjo na detyron që ne të rishikojmë me Ministrinë e Financave se si do të shpërndahen fondet në buxhetin e ardhshëm në mënyrë që të jetë në përputhje me riskun dhe jo me frymën e popullatës”, theksoi ai.