AKTUALITET, 25 Gusht 2023, 20:51

Zhvlerësimi i euros, ish-ministri i Financave: Periudha e humbjeve ishte e zgjatur në kohë për tregtarët, përfituan importuesit! Ja faktorët që dobësuan monedhën e BE-së

Zhvlerësimi i euros, ish-ministri i Financave: Periudha e humbjeve ishte e

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka komentuar zhvlerësimin  e monedhës së BE-së, euros në tregun e këmbimit valutor ku tha se rrënia e saj ishte oferta e madhe në Shqipëri.

Malaj tek ‘News 24’ tha se humbësit më të mëdhenj nga zhvlerësimi i euros kanë qenë eksportuesit shqiptarë apo edhe ata që kanë kredi në lek, ku shtoi se importuesit kanë arritur të sjellin më shumë mallra me fuqizimin e lekut.

“Shpresat ishin shuar për ndërhyrjen e qeverisë, por pritej një rritje e euros. Periudha e humbjeve megjithatë ka qenë shumë e zgjatur për tregtarët. Ajo që uli çmimin e euros ishte oferta e madhe në Shqipëri. Rritja e turizmit, remitancave dhe investimet e huaja janë tri faktorë. Megjithatë duket se ka edhe faktorë të tjerë informale. Fuqizimi i lekut ndaj euros ishte i pamundur në këto nivele. Humbësit më të mëdhenj kanë qenë eksportuesit shqiptarë dhe ata që kanë kredi në lek. E njëjta ndodh me ata që kanë paga në euro, por shpenzime në lekë. Këto grupe duhet të orientohen si të menaxhojnë paratë në raste të tilla. Këshilla që jap është të mos veprojnë në panik. Kur shohin ulje të euros nuk duhet ta shesin nga frika, pasi kjo rrit ofertën dhe e ul edhe më shumë çmimin. Importuesit kanë arritur të sjellin më shumë mallra me fuqizimin e lekut për shkak të uljes së lekut.

Banka e Shqipërisë ndihmohet me inflacionin po ashtu, qeveria mund të shlyejë borxhin publik më lirë pasi një pjesë e madhe është në euro. Pushuesit po ashtu janë ndihmuar për pushimet jashtë vendit. Ulja e lartë ka qenë nga faktorë jo realë, por rritja është një proces i natyrshëm. Euro po rritet sepse nuk ka të njëjtin fluks shpenzimi në euro si më parë. Do ketë sërish rritje, por me hapa të vogla”, tha ai.