AKTUALITET, 25 Tetor 2022, 11:08

Zhdukja e Ervis Martinajt, merren në pyetje Astrit dhe Jasim Avdylaj

Zhdukja e Ervis Martinajt, merren në pyetje Astrit dhe Jasim Avdylaj

Kur kanë kaluar tre muaj nga zhdukja e mistershme e Ervis Martinajt, Prokuroria e Kurbinit ka urdhëruar policinë të marrë në pyetje Jasim Avdylaj dhe Astrit Avdylaj.

Dy kushërinjtë Avdylaj janë marrë në pyetje në Durrës nga oficerët e policisë së Lezhës për llogari të Kurbinit.

Alibia e tyre dhënë për oficerët e policisë ka qenë se janë nën monitorimin e vazhdueshëm nga policia.

“Ne jemi në arrest shtëpie jemi të monitoruar nga policia”, mësohet se kanë thënë ata. Më herët është kontrolluar edhe banesa e tyre me vendim gjykate.

Martinaj është shfaqur për herë të fundit në kamerat e sigurisë së një hoteli në qytetin bregdetar të Durrësit pak ditë para zhdukjes. Në kamerat e sigurisë, Martinaj duket në shoqërinë e një vajze të njohur të showbizz-it dhe shoferit të tij, agjentit të Operacionales Jeton Lami që sot qëndron pas hekurave.

Emri i Martinajt është bërë shpesh temë diskutimi dhe akuzash apo kundërakuzash mes opozitës dhe maxhorancës.