AKTUALITET, 24 Tetor 2022, 22:34

"Deputetët e grupit Alibeaj po trafikojnë votat për interesa meskine materiale"/ Shkullaku: Kërkojnë të kapin "ndonjë gjë"

"Deputetët e grupit Alibeaj po trafikojnë votat për interesa

Armand Shkullaku thotë se deputetët e grupit parlamentar të PD-së, që rëndom njihen si "grupi Alibeaj", po i shërbejnë pushtetit dhe po trafikojnë votat, për interesa materiale. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Shkullaku tha se votimi i amendimeve të ligjit të dosjeve, që synon goditjen e Ilir Metës,  tregon se ky grupin po i shërben Ramës dhe se vendi rrezikon të kalojë në diktaturë, pasi Rama ka pushtet absolut në parlament. 

"Ata janë grup parlamentar, nuk përfaqësojnë PD-në. E dimë si kanë qenë shifrat e rezultateve. Deri para disa kohësh, kisha një lloj dyshimi që bashkimi që u fol kishte shanse të ndodhte realisht.

Nga ky votim kam kuptuar, se në atë grup ka 4-5 individë, që kanë një të kaluar politike, të cilët për arsye të ndryshme, apo nga deliri mendojnë se janë fuqi politike, nuk kanë interes të bashkohen me PD. Ka edhe individë të tjerë, që mund të jenë ndarë për parime. Pjesa më e madhe janë individë, që kanë kuptuar se nuk kanë më të ardhme në politikë. Kanë thënë, edhe këto tre vjet që na kanë mbetur, kapim ndonjë gjë.

Këtu do jemi, do ju dalin emrat nëpër leje ndërtimi, lojra fati, etj. Pra, votimi tregon që ne jemi në një autokraci, por rrezikon të kthehet në diktaturë të pastër. Rama ka 94 vota.

Nesër mund ta kalojë amnistinë fiskale.

Kjo punë e dosjeve bëhet pas 32 vjetësh, në kohën kur Ramës po i rrëshkasin këmbët.

Meqë ke bërë krahasimin me kërpëratën, prite kur të votojnë ndonjë ligj, ku të caktojnë kush ka të drejtë të kandidojë dhe kush nuk ka. Disa njerëz për interesa meskine materiale, kanë vendosur të trafikojnë kartonin, nën mburojnë e “anti-Berishizmit”.

Prandaj është shumë e vështirë që grupi parlamentar i PD të unifikohet", deklaroi Shkullaku.