AKTUALITET, 25 Shkurt 2026, 13:51

Emergjenca/ Shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas, autoritetet e RMV: Kamionët kanë nisur qarkullimin që prej orës 10:00 nga Bllata

Emergjenca/ Shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas, autoritetet e RMV:

Bllokimi i juglindjes së vendit për shkak të shembjes së rrugës Librazhd-Prrenjas ka sjellë probleme për transportuesit e mallrave. Megjithatë siç bëhet me dije autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se që prej orës 10:00 është lejuar lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë (kamionë) për në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë.

“Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, kanë njoftuar nëpërmjet Qendrës së Shkëmbimit të Informacionit, se prej orës 10.00, të ditës së sotme, kanë lejuar lëvizjen e mjeteve të tonazhit të rëndë (kamionë) për në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, në territorin e Maqedonisë së Veriut. Kamionët do të lejohen me të njëjtën tranzit dhe dokumentacion, gjithashtu edhe ato mjete që janë zhdoganuar do të lejohen të kalojnë dhe në rast se kanë të dëmtuar plumbosjen, do të ripajisen me të reja”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë vlen të theksohet se një ditë më parë Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja në konferencën për mediat në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, nënvizoi se në pikën doganore të Bllatës pala maqedonse nuk lejon kalimin e produkteve ushqimore me origjinë shtazore si të botëve të naftës.

Këto lloj kategorie duhet të kalojnë nëpërmjet Kosovës. Pra ato kamionë, që kanë hyrë tashmë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë të zhdoganuar, apo nën regjimin e tranzitit të brendshëm përmes zyrës doganore Qafë Thanë, duhet të dalin përsëri nëpërmjet kësaj zyre doganore dhe të futen nëpërmjet Bllatës.