AKTUALITET, 25 Shkurt 2026, 12:17

Nis hetimi/ Dyshimi se fshehu dënimin në Greqi, ILD merr në dorë fatin e gjyqtares së GJKKO Irena Gjoka. Kritika KLGJ-së që s’mori vendim

Nis hetimi/ Dyshimi se fshehu dënimin në Greqi, ILD merr në

Tre javë pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk e pranoi nisjen e verifikimit për gjyqtaren e GJKKO Irena Gjoka, nëse është apo jo në kushtet e mos ushtrimit të detyrës për shkak të dyshimeve se nuk ka deklaruar një dënim në Greqi, dosja e magjistrates është marrë në dorë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Mesohet se më 20 shkurt, duke e konsideruar të gabuar vendimin e KLGJ për mos marrjen e një vendimi përfundimtar ndaj Irena Gjokës, ILD ka vendosur nisjen vetë të hetimit disiplinor. Vendimin ILD e ka bazuar me iniciativë për shkak të informacioneve të dala publikisht si dhe në dy ankime të mbërritura në adresë të tij nga eksponentë të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit dhe Adriana Kalaja.

Përmes një letre, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani njofton Bardhin për vendimin, dhe i lë 3 javë kohë për të dorëzuar pretendimet. Report Tv ka mësuar përmes burimeve se Inspektori i Lartë i Drejtësisë e argumenton nisjen e hetimit disiplinor me dyshimin e arsyeshëm se mund të jemi përpara një shkelje në sjelljen e magjistrates.

Duke u bazuar në verifikimin e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme se në vitin 2005 ka pasur një dënim penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka, ILD thotë se gjyqtarja ka pasur detyrim ligjor të deklarojë më shumë se një herë, të dhëna që lidhen me pastërtinë e figurës, përfshirë dhe të dhëna në lidhje me dënime penale.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson se mosdeklarimi i të dhënave për të cilat magjistrati ka detyrim t'i deklarojë sipas ligjit, aq më tepër kur këto të dhëna kanë të bëjnë me veprimtari të kundërligjshme të kryera jashtë ushtrimit të detyrës, për të cilat magjistrati është dënuar me vendim penal, përbën sjellje që diskrediton pozitën dhe figurën e magjistratit dhe dëmton besimin e publikut në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë dhe bazuar mbi këto dyshimet ka nisur hetimin disiplinor duke kërkuar dokumentacionin e plotë nga KLGJ, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar dhe SPAK, që ka nisur hetim. Kujtojmë se vetë gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka në një letër drejtuar KLGJ-së, mohonte të kishte dijeni për dënimin, përmes një procesi që është bërë totalisht pa prezencën e saj.

Sa i përket ankimit të sjellë nga ana e një anëtari të KLGJ, Klodian Kurushi, në drejtim të ILD, Metani e ka konsideruar të papranueshëm dhe ka vendosur arkivim.

Metani thotë se procedimi disiplinor, që kryhet nga ana e tij, nuk mund ta zëvendësojë mekanizmin e verifikimit dhe kushteve të pa pajtueshmërisë në detyrë që bëhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në kuadër të dekriminalizimit. Për më tepër që KLGJ është institucioni që mund të përfshijë edhe Prokurorinë e Përgjithshme, siç ka ndodhur në rastin e gjyqtares Irena Gjoka. si autoriteti përgjegjës për verifikim të specializuar, duke kërkuar informacion dhe në institucione jashtë vendit.

Madje Metani ngre një shqetësim tjetër sa i përket procedurave që në fund do të vendosin fatin e togës së zezë të GJKKO.

Sipas Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, praktika administrative e ndjekur nga KLGJ në rastin e Gjokës, jo vetëm që nuk respekton ligjin për ndarjen e kompetencave brenda vetë organeve të sistemit të drejtësisë, por ka krijuar rrethanat që rast se ILD u çon kërkesën për masë disiplinore ndaj magjistrates ata të jenë në kushtet e dhe papajtueshmërisë. Kjo janë edhe në cilësinë e ankuesit edhe në cilësinë e organit zhvillues dhe vendimmarrës të procedimit disiplinor.