AKTUALITET, 10 Tetor 2022, 19:05

Zgjedhjet lokale/ Hajdari: Primaret, proces i hapur për zgjedhjen e kandidaturave. Alibeaj të dalë në terren, jo vetëm në zyrë

Zgjedhjet lokale/ Hajdari: Primaret, proces i hapur për zgjedhjen e

Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, thotë se Partia Demokratike do të ketë kandidatët e saj në zgjedhjet e vitit 2023.

Lidhur me këtë deklaratë, anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Rudina Hajdari, tha për emisionin “MCN live”, se teksa kanë mbetur gjashtë muaj deri në zgjedhjet lokale të vitit 2023, "Primaret" janë proces i hapur për zgjedhjen e kandidaturave dhe se në këtë kuadër, ajo ftoi Alibeajn që krahas deklaratave të lëvizë në terren dhe jo të flasë vetëm nga zyra dhe parlamenti.

"Mendoj që, aksioni politik i z. Alibeaj ka qenë me aq sa kam parë, ka qenë vetëm brenda zyrës së kryesisë dhe Parlamentit dhe nuk kam parë aksion në terren, ku do të punonte për kandidaturat për zgjedhje lokale. E ftoj të jetë pjesë e fushatës së primareve, që janë risi për PD-në dhe për vendin. Është një zgjedhje demokratike që të shikohet se a kanë kandidatët besim të vetvetja, apo se sa kanë simpatizantët apo anëtarët për ty.

Ne i konsiderojmë primaret si proces mjaft të rëndësishëm në Shqipëri. Vendosja e pluralitetit brenda partive është fundi i kryetarokracisë, forma më e vërtetë e demokracisë brenda një partie. Për ato që jemi zotuar, ne qëndrojmë plotësisht.

Zgjedhja e kandidaturave të kryetarëve të bashkive kërkon aksion politik në terren, sepse aty gjenden kandidaturat, Alibeaj, kam parë që ka qëndruar në zyrë në kryesi apo parlament, dhe e shoh të vështirë se si do të shkojë drejt kësaj rruge, kur kemi gjashtë muaj që na ndajnë deri në zgjedhje.

Duhet të shkojmë të rendim pas individit, dhe të përqafojmë idetë. Primaret nuk kanë nevojë të flasin për Berishën, Bashën, Alibeaj, por në vetvete ato janë demokratike dhe bëjnë kontrastin mes PD dhe PS, dhe zgjedhësit e Alibeajt janë anëtarët që do të marrin pjesë ne primare.

Do ta ftoja Alibeajn dhe kushdo tjetër që të bëhet pjesë e kandidaturave primare, sepse janë kusht bosht, që të mblidhemi dhe të zgjedhim kandidaturat dhe të zgjidhim këtë betejë", tha Rudina Hajdari.