AKTUALITET, 10 Tetor 2022, 16:45

“As nuk hyjmë me kushte, as nuk pranojmë kushte”/ Gazment Bardhi flet për bashkëpunimin me Berishën: Nuk negocioj…

“As nuk hyjmë me kushte, as nuk pranojmë kushte”/ Gazment

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka folur për bashkëpunimin me deputetët e grupit të ish-kryeministrit Berisha, për të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale.

Në një prononcim për mediat jashtë Kryesisë së Kuvendit, Bardhi tha se do të diskutojë me Edi Palokën, i cili është vendosur si “negociator” për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Sipas Bardhit, ai nuk do të negociojë me Palokën, por do të diskutojë lidhur me mundësinë e daljes me një kandidat të përbashkët.

Ndër të tjera, Bardhi u shpreh se grupi i Alibeajt nuk do të shkojë në diskutime me kushte, por as nuk do të pranojë kushte nga grupi i Berishës.

Bardhi: Në dijeninë time, zoti Berisha ka caktuar zotin Paloka për të biseduar. Unë do të kontaktoj me zotin Palojka. Është koleg i imi. Nuk do të negocioj me zotin Paloka. Por do të ulemi të bisedojmë për të hulumtuar mundësinë që demokratët të kenë një kandidat në zgjedhjet lokale. Duke qenë një kandidat i përbashkët i demokratëve, shancet rriten në mënyrë të konsiderueshme.

Pyetje: Do të pranoni procesin e primareve?

Bardhi: Nuk bëj bisedime përpara kamerave. Do të bisedoj me zotin Paloka, do shoh se kush është qëndrimi i kolegëve të tjerë. As nuk hyjmë me kushte, as nuk pranojmë kushte. Demokratët duan bashkëpunim të çdo faktori opozitar për të mundur Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme lokale. Si do të biem dakord për modalitetet, do shohim. Unë shkoj për të biseduar me një koleg të nderuar.