AKTUALITET, 27 Maj 2025, 10:24

Zgjedhjet e 11 majit/ Pas Kukësit e Beratit, PD ankimon rezultatin paraprak të zgjedhjeve edhe për qarkun Korçë

Zgjedhjet e 11 majit/ Pas Kukësit e Beratit, PD ankimon rezultatin paraprak

Partia Demokratike ka dorëzuar edhe ankimimin për rezultatin paraprak të qarkut Korçë.

Bëhet e ditur se në dokumentin dorëzuar Celibashit, PD kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve edhe në këtë qark.

Në dokumentin e dorëzuar në KQZ nga PD shkruhet se në qarkun e Korçës ka pasur përdorim të gjerë të administratës në zgjedhje dhe tjetërsim të madh të votave.

Ankimimi vjen pas ankimimit të rezultatit paraprak për qarkun Kukës e Berat dhe pas deklaratave se opozita nuk do të njohë rezultatin e përgjithshëm në zgjedhje, pasi sipas saj ishin një “farsë elektorale”.

Në zgjedhjet e 11 majit, PS fitoi një mandat të katërt, historik, duke siguruar plot 83 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërsa Partia Demokratike mori 50 vende. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur dhe zyrtarizuar procesin zgjedhor duke certifikuar rezultatet për të 12 qarqet e vendit.

Sipas tabelave përfundimtare, Partia Socialiste siguroi 83 mandate, koalicioni PD-ADSHM mori 50 vende në Kuvend, ndërsa forcat e reja politike ndanë 7 mandate: 3 për PSD, 2 për partinë Mundësia, dhe nga 1 për Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet.

Partia Demokratike pretendon për një “masakër zgjedhore”, teksa të njëjtin hap tha se do e ndjekë edhe me qarqet e tjera.