AKTUALITET, 29 Prill 2023, 18:22

"Zerim i taksës së infrastrukturës arsimore"/ Belind Këlliçi takim me gratë sipërmarrëse, prezanton 5 prioritetet për Tiranën: Lehtësojmë shërbimet

"Zerim i taksës së infrastrukturës arsimore"/ Belind

Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Belind Këlliçi është takuar me gra sipërmarrëse në Tiranë, ku gjatë fjalës së tij prezantoi planin për uljen e taksave dhe tarifave vendore. 

Këlliçi tha se ulja e taksave dhe tarifave vendore do të formalizojë shumë biznese, të cilat aktualisht përdorin forma korruptimi ndaj administratës tatimore, për të mos paguar taksat.

“Kam premtuar dhe do të jetë realitet pas 14 majit, zerimi i taksës së infrastrukturës arsimore. Një taksë mjaftë e rëndësishme për t’u përmendur, për vetë faktin, që të gjithë zonjat këtu sipërmarrëse e dinë shumë mirë se këtë taksë e paguajnë dy herë: e paguajnë një herë si biznes dhe një herë si familje. Gjithashtu do të heqim taksën për tokën bujqësore, për pjesën që i takon bashkisë. Do të reduktojmë katër taksa të tjera në masën 30%: taksën e fjetjes në hotel, taksën e tabelës informuese, taksën e truallit, taksën mbi ndërtesën. Ndërkohë, për tarifat do të reduktojmë dy tarifat kreysore: tarifën e pastrim gjelbërimit, që është një tarifë e cila shpesh herë rëndon xhepat tuaj, po nga ana tjetër ju nuk e merrni shërbimin e pastrimit në bizneset tuaja.

E kam marrë këtë shqetësim nga një pjesë dërrmuese e bizneseve. Dhe tarifën e hapësirës publike, e cila është shpesh herë një linjë e drejtpërdrejtë e korrupsionit tatimor nga administrata tatimore në Bashkinë e Tiranës. Për shkak të rritjes pa asnjë logjikë të taksave dhe tarifave vendore, gjatë këtyre 8 viteve, informaliteti, që do të thotë numri i bizneseve që nuk paguajnë taksa dhe tarifa, është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore, të bëra publike vitin e kaluar, sot që ne flasim të paktën 38% e taksave në kryeqytet nuk mblidhen nga bashkia. Kjo tregon për informalitet dhe nivel shumë të lartë korrupsioni. Kjo ka prodhuar një situatë krejt të pazakontë, ku nga njëra ana bizneset që paguajnë taksat shkojnë në kufijtë e mbijetesës, ndërsa bizneset që u shmangen taksave përpiqen të korruptojnë administratën tatimore, ose të shkojnë drejt falimentit. Plani im për uljen e taksave dhe tarifave do të bëjë të mundur që të gjitha bizneset realisht ta kenë mundësinë t`i paguajnë taksat”, tha ai.

Po ashtu kanidati ka kërkuar mbështetjen e grave dhe vajzave në Tiranë, "për t`i dhënë fund modelit korruptiv të Erion Veliajt në bashkinë e kryeqytetit", si dhe theksoi se do t'i jepet fund selektimeve politike në dhënien e kredive të buta për familjet.

“Jo më larg se para dy javësh, pesë nga dhomat kryesore të tregtisë në Tiranë, në Shqipëri, Dhoma Amerikane, Dhoma Gjermane, Dhoma Italiane, Franceze dhe Konfindrustria, dolën për herë të parë në një deklaratë të përbashkët ku shprehën shqetësimin për nivelin e korrupsionit, informalitetit dhe për klimën armiqësore në tërësi ndaj biznesit në Shqipëri, por në Tiranë në mënyrë të veçantë. Unë besoj se ju kanë mjaftuar 8 vite për të testuar se çfarë është i aftë të bëjë ai që sot na drejton në krye të bashkisë Tiranë. E keni parë deri më sot modelin e tij dhe nuk do të keni asgjë njëlloj nga çkeni parë deri në këto 8 vite prej Erion Veliajt në bashkinë që pret qytetarët e Tiranës pas 14 majit. Nuk duhet të bëhet kualifikim politik apo selektim politik kur vjen puna te një çështje kaq e rëndësishme, saç është kredia e butë për strehim, sidomos kur flasim për zonja që mund të jenë të veja, sidomos kur flasim për familje në nevoja ekstreme ekonomike në vështirësi shumë të thella ekonomike, apo dhe kur flasim për familje që nuk kanë asnjë njeri të punësuar, apo nuk kanë asnjë mundësi për të përballuar jetesën në Tiranë”- tha Këlliçi.

Gratë sipërmarrëse në Tiranë, kanë mirëpritur dhe shprehur mbështetjen për programin e Belind Këlliçit.

Gjatë takimit me gratë dhe vajzat sipërmarrëse në Tiranë, Belind Këlliçi prezantoi edhe 5 prioritetet e tij për drejtimin e bashkisë si: Transporti publik falas, ulja e taksave, ndërtimi i çerdheve, kopshteve dhe shkollave, nënkalimi te “Sheshi Skënderbej” apo dhe ndërtimi i 500 oazeve të gjelbërta, të cilat do të bëhen realitet pas 14 majit.