AKTUALITET, 16 Shtator 2022, 20:02

Zbulohet plantacioni me 2300 rrënjë kanabisi në Spanjë, arrestohen tre persona, serbë dhe shqiptarë!

Zbulohet plantacioni me 2300 rrënjë kanabisi në Spanjë,

Një plantacion kanabisi është zbuluar gjatë një operacioni ditën e sotme në Spanjë, për të cilën u arrestuan 3 persona me origjinë serbe dhe shqiptare.

Operacioni i koduar “Tabacu Tormo” u zhvillua në një zonë me terren të vështirë midis dy qyteteve, Cardenete dhe Enguidanos.

Sipas mediave spanjolle, autoritetet zbuluan plantacionin ku ishin mbjellë 2300 rrënjë kanabisi, ndërsa pranë një godine, u zbuluan dhe disa thasë me fara të bimës narkotike.

Ka qenë një gjuetar i cili ka zbuluar aktivitetin e paligjshëm të 3 të arrestuarve në gusht të këtij viti. Teksa lëvizte në zonë, gjuetari ka pikasur dy prej të rinjve, të cilët i kanë ngjallur dyshime se mund të kryenin aktivitet të paligjshëm.

Ai menjëherë ka njoftuar autoritetet të cilët nisën menjëherë mbikëqyrjen e zonës dhe të tre personave.

Efektivët e Gardës Civile dhe Policisë zbuluan dhe disa pellgje artificiale të cilat lidheshin me një lum, duke e çuar ujin deri në plantacionin e kanabisit duke mundësuar kështu ujitjen.

Gjithashtu në një zonë të pyllëzuar, u gjet edhe një kamp i improvizuar ku qëndronin 3 të rinjtë dhe vëzhgonin plantacionin e kanabisit.

Mediat spanjolle gjithashtu bëjnë me dije se vlera e përllogaritur e marijuanës së sekuestruar, arrinte deri në 40 mln euro.