TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Zbardhet vendimi i Qeverisë për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat do të indeksohen me 2.5%, duke shkuar në 156 825 lekë në muaj.
Sipas vendimit, paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 (zero pikë tridhjetë e gjashtë) me pagën e Presidentit të Republikës, do të indeksohet në masën 2,5%.
Pas indeksimit, vlera e pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë bëhet 156 825 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e njëzet e pesë) lekë/muaj. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionet përkatëse.
Po ashtu është indeksuar edhe paga e Presidentit, po në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës së Presidentit bëhet 435 625 (katërqind e tridhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e njëzet e pesë) lekë në muaj. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionin e Presidentit të Republikës.
VENDIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të pikës 5, të nenit 12, të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave.
VENDOSI:
-Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 (zero pikë tridhjetë e gjashtë) me pagën e Presidentit të Republikës, indeksohet në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë bëhet 156 825 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e njëzet e pesë) lekë/muaj.
-Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionet përkatëse.
-Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.