AKTUALITET, 27 Qershor 2022, 18:35

Xhixho: Shqiptarët s'bëjnë dot një javë pushime, bordi iu zhvat paratë, qeveria paguan inceneratorët fantazmë

Xhixho: Shqiptarët s'bëjnë dot një javë pushime,

Barometri i Ballkanit për vitin 2022 tregoi se 60% e shqiptarëve të anketuar kanë pohuar se nuk mund të përballojnë shpenzimet për një javë pushime në vit. Kjo ishte përqindja më e lartë në Rajon.

Deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho, shprehet në rrjete sociale se për shumicën e shqiptarëve, pushimet këtë vit janë luks për shkak të barrës së rëndë të çmimeve që sa vjen e rriten me bekimin e Bordit të Transparencës, bord të cilin e quan zhvatës.

Statusi i plotë

Shqiptarëve nuk u del të bëjnë pushime në këtë sezon, madje as një javë të vetme! Barometri i Ballkanit për vitin 2022 tregoi se 60% e shqiptarëve të anketuar kanë pohuar se nuk mund të përballojnë shpenzimet për një javë pushime në vit. 

Kjo ishte përqindja më e lartë në rajon. Për shumicën e shqiptarëve, pushimet këtë vit janë luks për shkak të barrës së rëndë të çmimeve, që sa vijnë e rriten me bekimin e  Bord i Transparencës, që në fakt është bordi i zhvatjes.

Për shumicën e shqiptarëve, bregdeti është sivjet mollë e ndaluar për shkak të çmimit të naftës që pëson rritje progresive, ndërsa qeveria injoron propozimet për lehtësimin e taksës së qarkullimit dhe asaj të karbonit. 

Qytetarët shqiptarë maten mirë edhe kur llogarisin kostot e jetesës, pasi 50% e të ardhurave të tyre shkojnë për ushqim, ndërsa paralelisht përmes taksave paguajnë për inceneratorët fantazmë dhe PPP-të që qeveria u jep klientëve të vet. 

Ndërkohë, rritja e çmimeve e pasuroi qeverinë me 342 milionë euro vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti. Laku i çmimeve të ngritura në qiell dhe haraçi i inceneratorëve janë e vërteta e kësaj qeverisjeje, që mban nën thundrën e varfërisë qytetarët!