AKTUALITET, 27 Qershor 2022, 15:13

Dhjetëra qytetarë të helmuar në Kukës, reagon kryebashkiaku Safet Gjici

Dhjetëra qytetarë të helmuar në Kukës, reagon

Kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, ka reaguar pas rasteve të shtuara në urgjencën e Kukësit me shenja helmimi. Ai përjashtoi mundësinë që ata të jenë helmuar nga uji i pijshëm.

Gjici deklaroi se analizat e ujit të pijshëm në Kukës bëhen tre herë në ditë për të pasur siguri nga qytetarët, duke mohuar dyshimet e mjekut të spitalit Albert Shehu i cili përmendi si shkak të mundshëm edhe këtë faktor.

“Nuk është normale të abuzosh me një temë sensitive si uji i pijshëm. E dimë që viroza e stinës është gjithandej. Nuk ka lidhje fare me ujin e pijshëm. Një deklaratë e mjekut në spital është keqkuptuar. Policia do bëjë hetimet e veta. Ka kërkuar edhe analizat e ujit. Uji i pijshëm është brenda normave dhe analizave. Nuk ndodh që të kemi probleme me ujin e pijshëm. Mund të jetë për shkak të virozës. Mjeku nuk duhet të flasë në këtë mënyrë pa ardhur analizat.

Kemi pasur edhe raste të tjera por nuk janë bërë kaq abuzive. Uji i pijshëm është shumë i rëndësishëm për qytetarë. Ne kemi rregulla strikte për ujin e pijshëm. Çdo ditë bëhen analizat. Tre herë në ditë. Për ujin nuk ka problem. Sa i përket ujit të pijshëm. Ne do kërkojmë nga prokuroria dhe policia përgjegjësi për ata që hapin panik te qytetarët për ujë të pijshëm dhe ujë të papijshëm”, u shpreh Gjici.

Ai theksoi se do të kërkohet përgjegjësia për të gjithë ata që abuzojnë me ujin e pijshëm. “Të flasësh pa pikë përgjegjësie kjo është e papranueshme. Institucionet dhe mjekët duhet të kenë kujdes kur flasin për ujin e pijshëm pa marrë më parë analizat.

Uji i pijshëm është brenda normave, brenda rregullave. Ka një procedurë strikte që nuk e kalon dot askush. Janë institucione dhe sektorë të posaçëm që merren me analizën e ujit. Do kërkojmë për të gjithë këta persona që abuzojnë me ujin e pijshëm te qytetarët kuksianë ndoshta edhe për interesa të tjera. Kush abuzon me këtë temë do mbajë përgjegjësi sipas ligjit”, deklaroi ai.

Hasan Halilaj, drejtor i NjVKSh Kukës, është shprehur se analizat kanë treguar se uji është i pastër dhe nuk përmban baktere në Kukës.

Ndërsa sa i përket lagjes Muja në Shtiqën, sipas tij situata është nën kontroll ndërsa përgjigjet përfundimtare pritet të dalin nesër.

‘Lidhur me shqetësimin e banorët e Kukësit që kanë patur për ujin e pijshëm me idenë që është i ndotur themi se nga rezultat e analizave kanë treguar se uji është i pastër bakterioligjikisht në kushtet dhe parametrat fiziko-kimike dhe te klorit brenda normave të përcaktuar në ligj dhe qytetaret e Kukësit nuk kanë arsye të bëjnë panik. Ndërsa sa i përket ujit në një pjese të lagjes Muja në Shtiqen situata është në kontroll, uji është i ndalur nga ujësjellësi pasi ka pasur ndërhyrje në rrjet dhe nisur nga ky fakt kuptohet qe edhe uji ka pasur probleme. Nesër do të japim një raport të hollësishme për këtë çështje, pasi ka një afat 48 orë që të futen në laborator dhe të vërtetohet nëse uji është i pijshëm.’ tha Hasan Halilaj.