TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në gjykimin ndaj Dibran Hoxhajt dhe të tjerëve të akuzuar për vrasjen në lokalin “Kobra City”, dëshmitarja A.S., e cila ka qenë e punësuar në atë lokal, deklaroi se i pandehuri Roland Susuri kishte hequr CD-në e kamerave të sigurisë dhe e kishte parë atë me armë. Sipas saj, motivi i vrasjes nuk kishte lidhje me një faturë prej 400 eurosh.
“E kam parë Rolandin duke e tërhequr nga rryma një pajisje dhe duke nxjerrë CD-në, madje më tha ‘çka po i çel sytë’… Ai kishte me vete armë”, dëshmoi A.S., sipas raportimit nga “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmia e saj vazhdoi gjatë pasdites, pasi kishte përfunduar dëgjimi i një tjetër dëshmitareje në një seancë të mbyllur për publikun. A.S. gjithashtu tregoi se kishte marrë kërcënime nga Susuri përmes të dashurës së tij, pasi ajo e kishte përmendur emrin e tij gjatë një deklarate në Prokurori.
Ajo shtoi se ditën e ngjarjes kishte parë armë në të dy grupet e përfshira në incident – si tek pala e të ndjerit nga Kukësi, ashtu edhe tek grupi i Susurit. Sipas A.S., disa minuta pasi Dibran Hoxhaj kishte hyrë në lokal dhe kishte ngritur zërin ndaj stafit për dëmet që i ishin shkaktuar lokalit, kishte arritur Policia.
Ajo theksoi se konflikti nuk kishte të bënte me mosshlyerjen e një fature, por kishte shpërthyer për shkak të një konflikti mes të ndjerit V.C. dhe të akuzuarit Susuri, pasi i ndjeri kishte ngacmuar ish-të dashurën e këtij të fundit. Sipas dëshmitares, Susuri i kishte kërkuar V.C.-së që të mos e prekte vajzën dhe të mos e filmonte, por kjo nuk ishte respektuar. Madje, V.C. e kishte shtyrë Susurin dhe i kishte thënë se donte të takohej me dajën e tij, Dibran Hoxhajn.
“Më kujtohet që i tha: ‘mos më prek’ dhe pastaj shtoi që donte të takohej me Dibranin”, rrëfeu A.S.
Në momentin kur nisi krahasimi i dëshmisë së saj në gjykatë me atë të dhënë në Prokurori, A.S. mohoi disa nga deklaratat e shkruara atje, duke thënë se ato nuk ishin fjalët e saj dhe se as firma nuk ishte e saj. Në fund, dëshmitarja kërkoi ndërprerjen e seancës për arsye familjare, kërkesë që u pranua nga trupi gjykues.