AKTUALITET, 25 Prill 2023, 09:31

Vrasja e Ardian Nikulajt, asnjë i dyshuar! Grupi hetimor rikthehet në fillimin e hetimeve

Vrasja e Ardian Nikulajt, asnjë i dyshuar! Grupi hetimor rikthehet në

Vrasja e biznesmenit dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Lezhës, Ardian Nikulaj është ende pa autor dhe pa pistë konkrete ku janë fokusuar hetimet.

Që orëve të para të së dielës, Policia e Lezhës në bashkëpunim me atë të Shkodrës rrethuan qytetin për të rënë në gjurmët e një mjeti të dyshimtë, pamjen e të cilit e nxorën nga një kamera që e kishte kapur teksa hynte në rrugën e Velipojës.

Mjeti u shpërnda në media, por rezultoi se iu përkiste disa shtetasve italianë të cilët pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë. Po ashtu prokuroria e Lezhës ka bërë me dije se po ndjek procedurat për të siguruar dëshminë e shtetasit britanik, me banim në Londër, i cili është larguar nga Shëngjini disa orë pas ekzekutimit e Nikulajt në ambientet e restorantit të tij. Por Policia dhe Prokuroria, edhe pse prej ditësh janë në trysni të madhe nga opinioni publik dhe vetë organet kompetente për ta zbardhur atë krim të rëndë në prag të zgjedhjeve lokale ende nuk kanë dhënë asnjë version të saktë se në cilën pista janë fokusuar hetimet.

Herë pas herë, grupi hetimor nxjerr të dhëna kontradiktore për punën në gjurmimin e atentatorit, ku në fakt ende nuk kanë përcaktuar me saktësi se çfarë drejtimi ka marrë dhe aq më pak se sa persona janë përfshirë në atë ekzekutim mafioz. Sipas të dhënave policore, dyshimet janë se atentatori është pritur nga persona të tjerë, por ende nuk është përcaktuar vendi se ku është marrë saktësisht ky person nga automjeti që edhe e ka zhdukur nga qarkullimi.

Duke qenë se grupi hetimor doli blof me mjetin “Land Rover” me targa italiane që u kërkua në të gjithë Shkodrën që nga mëngjesi i së dielës, bëhet me dije se hetimet janë kthyer sërish në fillime, aty ku nisen mesditën e së enjtes, pak çaste pas ekzekutimit të 51- vjeçarit, Ardian Nikulaj.

Përveç kontrolleve të disa banesave në zonën e Balldrenit dhe të Kakarriqit, zona që policia i lidh me dyshimin për ndonjë hakmarrje mes dy fiseve, bëhet me dije se janë kërkuar të gjenden të gjitha kontaktet e dy javëve të fundit të viktimës. Janë një numër i madh personash që pritet të merren në pyetje për të mësuar lidhjet me viktimën, ndërkohë që priten të verifikohen edhe tabulatet e telefonave celularë të disa prej tyre.

Ndonëse të afërm të viktimës nuk kanë pranuar të kenë konflikte me asnjë person në Lezhë dhe as përtej këtij rrethi, mësohet se në fokus janë konkurrenca, problemet me tokat, hakmarrje dhe ndonjë konflikt i kohëve të fundit që mund të ketë pasur viktima.

Njëkohësisht saktësohet se janë kërkuar të mblidhen pamjet filmike të disa hoteleve dhe bizneseve në Shëngjin, nga ku do të pretendohet të verifikohen të gjithë personat e panjohur që mund të jenë pikasur në zonë ditët para vrasjes dhe paraditen e ngjarjes.

Duke qenë që sezoni turistik ende nuk ka filluar, Shëngjini ditën e vrasjes ka qenë thuajse i boshatisur, ndërkohë policia në të vërtet nuk ka ende asnjë pamje të rrugëtimit të vrasësit pos një pamjeje sapo atentatori ka lënë kryqëzimin në qendrën e Shëngjinit.

Edhe pse janë hedhur të dhëna për mediat se motori është parë deri në Gjadër, policia nuk ka asnjë pamje të tij në asnjë aks rrugor.

Ardian Nikulaj njihej në zonën e Lezhës për aktivitetin e tij social dhe atë politik përveçse në fushën e biznesit. Ai prej kohësh gjendej në detyra të rëndësishme në disa drejtori në Lezhë, ndërkohë që për të gjithë banorët e Lezhës njihej si një faktor me peshë të rëndësishme në fushata elektorale.

Ai rikandidonte për Këshill Bashkiak, sërish në të njëjtën forcë politike për të cilën edhe garoi në zgjedhjet qendrore të dy viteve më parë.

Edhe pse policia dhe prokuroria kanë ndërmarr hetime në drejtim të konflikteve të vjetra, të cilat i quajnë hakmarrje, mësohet se nuk është përjashtuar as pista e ndonjë konflikti të ri që mund të ketë lindur nga pozita e tij e rëndësishme në betejën elektorale të zgjedhjeve lokale. Sipas të dhënave bëhet e ditur se hetimet janë shpërndarë në një mori dyshimesh e për pasojë Prokuroria duhet të hetojë çdo detaj që mund të shfaqet gjatë punës së tyre.

Po ashtu mësohet se janë hapur dosjet e disa ngjarjeve në Lezhë që kanë mbetur ndër vite pa autor, përfshirë që nga ato që kanë lindur në vitin e largët 1997 e deri tek ato të viteve të fundit.

Ndërkohë që po punohet edhe me verifikimin e një sërë personash të dyshuar për aktivitete kriminale në disa rrethe, për të bërë të mundur gjetjen e motivit të saktë të asaj vrasjeje që ka tronditur vendin në prag të zgjedhjeve lokale.