AKTUALITET, 12 Korrik 2024, 16:01

Vrasja e Alfons Ndocit në burgun grek, kontrolle në qelinë ku mbahej Laert Haxhiu

Vrasja e Alfons Ndocit në burgun grek, kontrolle në qelinë ku

Gardianët grekë të Koridhalos kanë mësyrë mesditën e sotme në dy qeli ku janë mbajtur të burgosur shqiptarë. Kontrolleve i është ushtruar qelia 32 e Etem Hoxhës dhe qelia 30 ku është mbajtur Laert Haxhiu para se të ekstradohej në Shqipëri. Burime bëjnë me dije se kontrollet po kryhen lidhur me hetimet për vrasjen e të burgosurit 35-vjeçar shqiptar Alfons Ndoci dhe plagosjen e 46-vjeçarit kosovar Altin Vokrri në 26 Qershor. Vrasjen e mori përsipër Xhuliano Halili, një shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm për dy vrasje, ndërsa pamjet e siguruara nga mediat greke treguan se në përplasje kishin marrë pjesë disa të burgosur mes tyre edhe Etem Hoxha.

Edhe pse vrasja u konsiderua fillimisht se ndodhi për shkak të një konflikti lidhur me futjen ose jo në qeli të të dënuarve pas protestës së tyre lidhur me kondicionimin e qelive, ngjarja duket se ka edhe prapaskena të tjera. Konkretisht mendohet se gardianët mund të kenë krijuar kushtet për vrasjen e Alfons Ndocit. Përvec kësaj, ka dyshime se vrasja mund të jetë e paguar nga “mafia e Mykonos”. Konkretisht në 2 korrik në Athinë u ekzekutua topografi grek Panagiotis Stathis, 54-vjec. Stathi ishte sulmuar tre herë më parë në Mykonos dhe Athinë. Dy nga këto sulme mendohet se i ka kryer Alfons Ndoci, i paguar nga persona të fuqishëm me interesa ndërtimi në ishullin grek. Dyshimet janë se për të krijuar kushte për vrasjen e Stathit, fillimisht është urdhëruar vrasja e Alfons Ndocit, me qëllim që ai mos të fliste për urdhëruesit e mundshëm të vrasjes së topografit.

Lidhjet e Ndocit me “mafien e Mykonos”

Alfons Ndoci dyshohet se ka operuar në Mykonos nën urdhrat e biznesmenit shqiptar Tonin Preka, 42 vjeç. Mes urdhrave që ka marrë nga Preka, dyshohet se ka qenë edhe rrahja e një biznesmeni, i cili aktualisht dyshohet si urdhërues i vrasjes së topografit. Megjithëse punoi për Prekën, Ndoci u nda prej tij për mosmarrëveshje ekonomike. Në nëntor 2022, Ndoci u kthye në Mykonos dhe rrahu e grabiti Tonin Prekën. Bashkë më shqiptarin Gerald Jaho, 25 vjeç, ata i morën Prekës 40 mijë euro. Në janar 2023, teksa ndodhej në një qendër tregëtare në Athinë, Preka ka pikasur dy shqiptarët dhe ka njoftuar policinë se dy personat që e kishin grabitur ndodheshin pikërisht aty. Policia arriti t’i kapë ata pas një ndjekje me makina që shkaktoi edhe përplasje me mjete të parkuara. Policia u gjeti dy shqiptarëve 2 pistoleta “Berreta” dhe “Sig Sauer”, 1 krehër pa fishekë, 17 fishekë, 1 pako marijuanë, 16.207 euro dhe kartmonedha të shteteve të ndryshme. Gjatë verifikimit, rezultoi se Ndoci kërkohej për “grabitje në bashkëpunim” dhe kishte dy dënime me 3 vjet burg për “armëmbajtje nga një i burgosur” dhe “vjedhje”, ndërsa Jaho kërkohej për “grabitje në bashkëpunim”.

Ndoci ishte arratisur nga burgu me atë që mori përsipër vrasjen e tij

Alfons Ndoci rezulton se në vitin 2014, gjatë një grabitje në Elefsina, vrau pronarin e dyqanit për shkak se ai rezistoi. Gjatë kohës që ishte në burg, në vitin 2018 ai u arratis nga mjeti i transportit të burgut në Portin e Patras bashkë me tre të burgosur të tjerë, përfshirë Xhuliano Halilin. Madje me këtë të fundit u kap disa ditë më pas nga policia. Ky i fundit është personi që morri përsipër vrasjen e Ndocit në Koridhalo disa ditë më parë. Xhuliano Halili 41 vjec, i njohur si “Niko” rezulton i dënuar për vrasjen e babë e bir, Fillim e Oligert Mesaja, 35 e 2 vjeç në vitin 2011 në Kalamata. Vrasja atëherë ishte porositur nga krimineli famëkeq grek Vasilis Varelas për larje hesapesh. Në janar 2021, Varelas u gjet nga policia greke në një mjet “BMË” me xhama të zinj bashkë me shqiptarin Alket Rizai. Të dy kishin dalë me leje nga burgu.

Alfons Ndoci i penduar? “Zougla”: “Kemi dëshmi të tij”

Sipas medias greke “Zougla”, Alfons Ndoci, para se të vritej, me sa duket nga frika se mund t’i ndodhte diçka e rëndë, ishte kujdesur që të niste tek “Zougla” bisedat e regjistruara mes tij dhe një partneri kontraktor në Mykonos. Media greke pretendon se i ka këto regjistrime, por ende nuk i ka publikuar. E njëjta media hedh dyshime se vrasja e Ndocit është lejuar nga gardianët e burgut pasi nga pamjet e siguruara prej saj del se Xhuliano Halili dhe Etem Hoxha dalin të armatosur me thika nga zyra e kryegardianit Lamropoulo dhe janë lejuar të kalojnë sektorin nga gardiani Kokkinakis i cili u ka hapur portën. Sapo ai e ka mbyllur sërish atë, dy shqiptarët kanë sulmuar Alfons Ndocin.