AKTUALITET, 4 Prill 2025, 13:23

'Vjedhje'/ Konflikti për logon e PD, Berisha sulmon Bashën: Lul brava është në mision, ia dikton padroni tij Rama!

'Vjedhje'/ Konflikti për logon e PD, Berisha sulmon Bashën:

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli sot në konferencën me gazetarët lidhur me konfliktin e logos së PD-së mes tij dhe Lulzim Bashës.

Kujtojmë se Lulzim Basha hoqi dy ditë më parë nga selia e tij logot dhe nënshkrimet e tjera që e lidhin me PD-në, pas padisë së Sali Berishës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Basha i zëvendësoi ato me të Koalicionit Euroatlantik, me të cilin ka hyrë në zgjedhjet e 11 majit.

Lidhur me këtë Berisha tha se Basha është në një mision të diktuar nga Edi Rama.

Në konferencën e radhës me gazetarët, Sali Berisha sulmoi Lulzim Bashën duke e akuzuar se bashkëpunon me Edi Ramën. I pyetur se si do ta ndalojë drejtuesin politik të Koalicionit Euroatlantik, që të përdorë logon e PD në rrjetet sociale, Berisha tha se ky akt përbën vjedhje pronësie. 

"Tani ai është në një mision, Brava është në një mision dhe atij ia dikton padroni i tij Edi Rama një akt të tillë që përbën vjedhje pronësie. Akt shumë i gabuar, por shqiptarë që të votojnë më Lul Bravën se mban këtë apo atë logo nuk ka.", u shpreh Berisha.

Kreu i PD vijoi edhe me sulmet ndaj ministrit të Drejtësisë Ulsi Manjës, të cilit i referohet si 'Olsi i Altin Hajrit', dhe që e akuzon se qëndron pas përgjimeve të Erion Veliajt në paraburgimin e Durrësit, ku ndodhet prej Shkurtit. 

"Së pari, nga publikimet e tij, del mirëfilltas një shpellë intrigantësh, njerëz të inkriminuar që i fusin thika njëri-tjetrit. Tani, që Erion Veliaj është aty ku është, për krimet e rënda, kjo nuk ka diskutim. Por Erion Veliaj duhet të jetë me organizatë kriminale, familjare dhe bashkiake, të dyja. I ka të dyja. Por që me Erion Veliajn, t’i organizohen kurthe nga ministra, kjo është makbethiane, pak ët themi por është makbethiane. 

Lëre që e regjistrojnë nga të gjitha anët, dhe pastaj Uluziu... a e morët vesh ju kush është Olsi? Olsi është Uluziu... absolutisht. Olsi i Altin Hajrit, i dy kostumeve, merrja pak masën, ai e bëri punën mirë, prandaj merrja masën për dy kostume. Tani, burime 100 përqind të sigurta më informojnë se nuk bëhet fjalë as për Olsi Çelës, as për Olsi Dadon, por për Uluziun. Kështu që komentet e mia për përgjimet e Erion Veliajt dhe mesazhet e tij tregojnë se kemi të bëjmë me një grup mafioz me pushtet që nuk kanë asnjë rregull, asnjë ligj, asnjë normë.", tha ai.