AKTUALITET, 3 Shtator 2024, 14:48

Vizita në Letoni, Begaj: BE të adresojë në mënyrë proaktive nevojat dhe sfidat specifike për Shqipërinë!

Vizita në Letoni, Begaj: BE të adresojë në mënyrë

Presidenti Bajram Begaj, nisi sot vizitën shtetërore në Letoni, ku Riga ishte ndalesa e parë në Republikat Baltike. Kjo është dhe vizita e parë shtetërore e një Presidenti të Shqipërisë që ndërmerret në tre vendet baltike: Letoni, Estoni dhe Lituani. Në pritjen e organizuar për nder të Presidentit të Shqipërisë, merrnin pjesë Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, Kryetarja e Parlamentit, Daiga Mieria, Kryeministrja, Evika Siliņa, si dhe përfaqësues të tjerë të shtetit dhe qeverisë letoneze.

Fillimisht, Begaj pati një takim kokë më kokë me homologun e tij Rinkēvičs, të cilin e falënderoi për pritjen, duke e cilësuar si një moment për të forcuar dialogun politik të shkëlqyer mes dy vendeve mike që ndajnë qëndrime të përbashkëta për çështjet rajonale dhe globale. Presidenti Begaj shprehu përkushtimin e Shqipërisë për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

Për sa i përket marrëdhënieve ekonomike, Presidentët e dy shteteve biseduam për rritjen dhe zgjerimin e tyre, duke përfshirë investimet direkte, turizmin, shkëmbimet tregtare, arsimin dhe kërkimin shkencor. Në këtë aspekt, u propozua vendosja e një linje ajrore direkte të përhershme, e cila do të sjellë afrimin mes dy vendeve, rritjen e fluksit të shkëmbimeve dhe të turizmit.

Ndërsa vlerësoi mbështetjen e Letonisë përgjatë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, Presidenti i Republikës u shpreh se me përparimin e jashtëzakonshëm në përafrimin me standardet e BE-së, Shqipëria shpreson për një rrugë të qartë dhe të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në Union. Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u konsiderua në takim si një rrugëzgjidhje përballë influencave të palëve të treta të shtuara me agresionin Rus në Ukrainë dhe si një mundësi për të nxitur stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohje ndaj Letonisë për kontributin në rajon, duke theksuar praninë e trupave në kuadër të KFOR-it dhe mbështetjen ndaj Kosovës për integrimin Euroatlantik.

Në takim u bisedua për sfidat e reja me të cilat Shqipëria dhe Letonia përballen si aleate në NATO dhe në këtë aspekt u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. “Shqipëria, – u shpreh Presidenti Begaj, – mbetet në solidaritet me Letoninë me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO-s në Adazi. Biseda kokë më kokë mes Presidentëve Begaj dhe Rinkēvičs u pasua nga takimi i zgjeruar me pjesëmarrjen e delegacioneve përkatëse dhe më pas krerët e dy shteteve zhvilluan konferencën e përbashkët për mediat.

Në deklaratë, Presidenti theksoi se sot, ne jemi aleatë në NATO, dhe së shpejti, ëndërrojmë dhe synojmë të jemi së bashku në BE. Ai u shpreh se "Sigurisht që Shqipëria dhe Letonia gëzojnë marrëdhënie shumë të mira dypalëshe dhe kemi zhvilluar një dialog politik të shkëlqyer që ndan të njëjtat qëllime strategjike dhe mbështet vlerat europiane të përbashkëta."