TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës Fredi Beleri, i liruar sot nga burgu i Fierit tregoi se ka patur oferta për të fituar lirinë nëse hiqte dorë nga mandati i kryetarit të bashkisë që fitoi në zgjedhjet e 14 majit 2023. I pyetur nëse ka pasur negociata nga ana e qeverisë që të dorëzonte mandatin dhe të lirohej nga burgu, Beleri tha se kjo ndodhi që javën e parë në një takim me zyrtarë kryesorë. Oferta i është bërë që djali ose vëllai i tij të zgjidhnin të bëheshin kryetar njëri prej tyre dhe ai të jepte dorëheqjen e të dalë nga burgu.
“Javën e parë në takim me zyrtarë nga partnerët tanë kryesorë, vëllai im dhe djali im më thanë në tavolinë, zgjidhni të bëhet kryetar një nga ju të dy pasi atë nuk e lëmë, të japë dorëheqjen të dalë nga burgu. Nuk e kam pranuar. Të gjithë e dinë dhe në Athinë dhe në Tiranë. Gjatë këtyre 16 muajve kisha gjithmonë oferta për të dhënë dorëheqjen nga mandati me shkëmbim lirinë time. Me letër, që javën e parë… Ishte e qartë që Edi Rama nuk do e linte bashkinë te PD, te opozita, nuk e ka fare personale me mua. Ai ishte mashtrimi i radhës” – tha Beleri.
Tashmë eurodeputet i Greqisë, Beleri akuzoi Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion si të kontrolluar 100% nga Edi Rama. Sipas Belerit, SPAK-u i sotëm është problemi i Shqipërisë edhe më i madh se ai problemi 45-vjeçar i komunizmit.
“Nuk e njoh SPAK sepse SPAK është një organ i kontrolluar 100% nga Edi Rama. Bëra gabim shumë të madh që iu drejtova SPAK dhe kallëzova një njeri. Nuk i hyj thelbit të çështjes që ka bërë apo jo korrupsion për mua e ka bërë këtë shkelje jo se ka marrë para sepse nuk guxonte Jorgo Goro të merrte para nga Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka, mund të jetë i detyruar dhe gabimi i Jorgo Goros ishte që ishte një njeri i bindur i partisë, ishte i emëruar në Himarë, kurrë nuk kishte fituar zgjedhje.
Për mua problemi i Shqipërisë edhe më i madh se ai problemi 45-vjeçar i komunizmit është SPAK-u i sotëm. Është zgjatim i politikës, politika urdhëron dhe ata marrin vendimmarrje. Unë vuaj me të gjithë këta VIP-at e krimit ku asnjë dosje nuk është e provuar, nuk ka profesionalizëm, janë shkelje në mes të ditës. Ashtu duam ne dhe kaq. Fajtor është ai që provohet me prova dhe jo ai që do politika që do ta heqë nga skena” – tha Beleri për gazetarin Çim Peka në Tv Syri.