AKTUALITET, 2 Mars 2022, 12:37

VIDEO/ Dalin pamjet e ushtrisë ruse në qytetin portual të Kherson, pushtimi i tij do të bllokojë zinxhirin e furnizimeve për Ukrainën

VIDEO/ Dalin pamjet e ushtrisë ruse në qytetin portual të

Trupat rusë janë në qytetin e Kherson. Pamjet e publikuara në media sociale, tregojnë ushtarët rusë në qendër të qytetit portual në Ukrainën jugore.

Në pamje shihen disa trupa ushtarakë dhe një tank. Rusia pretendoi mëngjesin e së mërkurën se kishte marrë kontrollin e plotë të Kherson, ndërsa autoritetet lokale ende pretendojnë se qyteti është ende nën kontrollin e Ukrainës.

Guvernatori dhe kreu i bashkisë së qytetit portual në Detin e Zi thanë se qyteti është rrethuar, megjithatë ende nuk është pushtuar.

Marrja e qytetit do të ishte shumë domethënëse, tha eksperti ushtarak Dr Jack Watling, pasi mban një pozicion strategjik në lumin Dnieper që ndan në dy pjesë Ukrainën.

“Ndërsa rusët fillojnë të pushtojnë qytetet kyçe përgjatë Dnieper, ata do të jenë në gjendje të parandalojnë lëvizjen e furnizimeve nga perëndimi në lindje për njësitë ushtarake ukrainase që po luftojnë në zonat rreth Donbas”, shpjegoi Watling.