AKTUALITET, 2 Mars 2022, 10:02

OKB-ja do të votojë sot rezolutën për dënimin e pushtimit rus në Ukrainë

OKB-ja do të votojë sot rezolutën për dënimin e

Asambleja e Përgjithshme e OKB -së thirret të votojë sot, pas dy ditësh fjalime nga anëtarët e saj, një projekt-rezolutë që dënon Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë, duke i bërë thirrje Kremlinit për tërheqjen ”e menjëhershme” të forcave ruse nga vendi.

Perëndimi dhe OKB-ja akuzojnë Moskën për shkeljen e nenit 2 të Kartës së OKB-së, i cili thotë se anëtarët duhet të shmangin kërcënimet dhe përdorimin e forcës për të zgjidhur një krizë.

Nga ana e saj, Rusia pretendon se po ushtron të drejtën e saj për vetëmbrojtje, siç parashikohet në nenin 51 të Kartës.

Për të miratuar projektvendimin, i cili po promovohet nga BE në koordinim me Kievin, duhet të merren dy të tretat e votave të vendeve pjesëmarrëse në votim.

Të hënën dhe të martën, gjatë një ” takimi të jashtëzakonshëm” të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u duk se shumica dërrmuese e vendeve denoncojnë sjelljen e Rusisë.

Gjithashtu gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, shumë vende afrikane dhe të Amerikës Latine u rreshtuan në anën e SHBA-së dhe BE-së dhe denoncuan pushtimin rus.