AKTUALITET, 11 Prill 2026, 12:21

Vdekja e 33-vjeçarit në Orange Club, administratori Ermal Fataj mohon punësimin: Ishte mik me pronarin

Vdekja e 33-vjeçarit në Orange Club, administratori Ermal Fataj

Administratori i “Orange Club” në Sarandë, Ermal Fataj, ka mohuar para policisë se 33-vjeçari Igli Gjoca, i cili humbi jetën gjatë punimeve në këtë ambient, të ketë qenë i punësuar në klub.

Sipas dëshmisë së tij, Fataj ka deklaruar se i riu kishte shkuar atë pasdite në klub vetëm për të parë punimet që po kryheshin, pasi kishte miqësi me pronarin e lokalit.

Ndërkohë, burime të tjera bëjnë me dije se viktima, krahas punës në një servis lyerje makinash, kishte punuar edhe më herët në “Orange Club”, si dhe ishte angazhuar sërish për përgatitjen e klubit për sezonin turistik. Ai më parë kishte punuar edhe si kamarier në të njëjtin ambient.

Rasti rikthen në vëmendje problematikat e sigurisë në punë në këtë subjekt, i cili edhe më herët është përfshirë në ngjarje fatale. Dy vite më parë, në të njëjtin klub humbi jetën një 17-vjeçar pasi u aksidentua nga një ashensor mallrash, i cili u shkëput gjatë përdorimit.

Pas asaj ngjarjeje, policia kishte arrestuar personin që kishte montuar ashensorin dhe kishte shpallur në kërkim pronarin e lokalit, ndërsa më vonë u konstatua se ashensori nuk ishte mirëmbajtur sipas standardeve dhe montuesi nuk kishte licencën përkatëse.