AKTUALITET, 21 Gusht 2023, 13:46

U zhduk kontrata origjinale e “sterilizimit”? SPAK: Kemi origjinalin e kopjes!

U zhduk kontrata origjinale e “sterilizimit”? SPAK: Kemi origjinalin

Disa ditë pas lajmit se kontrata origjinale e koncesionit të sterilizimit është zhdukur nga arkiva e Ministrisë së Shëndetësisë, prokurorët e SPAK ka dalë me një sqarim, duke thënë se ky dokument është gjetur në institucione të tjera.

SPAK më herët kishte marrë vendimin për sekuestrimin e praktikës së plotë dokumentare origjinale të procedurës së koncesionit të sterilizimit, por janë gjendur përpara një situate të papritur.

“Në zbatim të këtij vendimi, oficerët e policisë gjyqësore kanë sekuestruar dosjen e koncesionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithashtu duhet theksuar se me gjithë kërkimet në institucion dhe arkivën e ministrisë së Shëndetësisë, zyrtarët e këtij institucioni nuk gjetën dhe nuk venë në dispozicion kontratën origjinale të koncesionit dhe as anekset përkatëse. Dokumentacioni i sekuestruar është origjinal i kopjes së njehsuar të dërguar nga ministria e Shëndetësisë për sa i përket procedurës së dhënies së koncesionit me shkresën numër 910/ 1 datë 19 shkurt 2020”, thuhet në dosjen e GJKKO.

Ky koncesion është gjetur me shkelje për veprat penale korrupsion, falsifikim dhe mashtrim, ku deri më sot dëmi ekonomik përllogaritet në 76 milionë euro. Masat e arresteve për 8 të akuzuarit janë dhënë që më 23 qershor por zbatimi i tyre është zvarritur deri më sot.

Pas hekurave për këtë aferë është ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj si dhe është dhënë masa ‘arrest shtëpie’ dhe ‘detyrim paraqitje’ për 6 zyrtarë të MSH-së.

Ish-kryeministri Sali Berisha në një deklaratë për mediat tha sot se kontrata origjinale e koncesionit të sterilizimit është depozituar në disa institucione.

“Dje, mediat informuan nga prokuroria e posaçme se ky organ nuk kishte kontratën origjinale të vjedhjes së dytë të shekullit. Informojmë shqiptarët se kontrata origjinale është e depozituar:

-Në Prokurorinë e Tiranës, e cila pas 3 vitesh dhe 300 mijë euro ryshfet, e shpalli atë në përputhje me ligjin.

-Në protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë.

-Në Ministrinë e Drejtësisë.

-Në Ministrinë e Financave, thesari i të cilës nuk mund të bëjë asnjë pagesë pa pasur kontratën origjinale.

-Në FSDKSH, organ që mund t’i bëjë asnjë pagesë kontraktonit pa kontratën origjinale.

-Kopjen origjinale e disponojnë të gjithë spitalet ku kryhet shërbimi.

-Kopjen origjinale e ka kontraktori i këtij shërbimi.

Për të gjitha këto, PD u bën thirrje qytetarëve të ngrihemi sa më parë në protesta të fuqishme për të marrë në dorë fatin tonë dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo organizatë kriminale që drejtohet nga Edi Rama”, tha Sali Berisha.