AKTUALITET, 29 Janar 2026, 14:32

PS i jep “mundësinë e fundit” PD-së për Komisionin e Reformës Territoriale: Të mblidhemi të hënën!

PS i jep “mundësinë e fundit” PD-së për

Partia Socialiste i ka dhënë PD-së atë që e cilëson si mundësinë e fundit për të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Territoriale. Burime parlamentare bëjnë me dije për gazetarin Ergys Gjençaj se të hënën pritet të mblidhet komisioni, dhe pjesëmarrja e deputetëve të PD-së do të jetë vendimtare për vijimin e procesit.

Sipas PS-së, nëse deputetët e Partisë Demokratike marrin pjesë në mbledhjen e komisionit, atëherë çdo kërkesë për ndryshime në përbërjen e tij do të konsiderohet e pavlefshme dhe do të rrëzohet.

Mazhoranca argumenton se bojkoti i deritanishëm i opozitës nuk mund të përdoret si justifikim për bllokimin e reformës, ndërsa thekson se procesi duhet të ecë përpara në respekt të afateve dhe përgjegjësive institucionale.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka kërkuar më herët rishikim të përbërjes së komisionit, duke e cilësuar atë si të njëanshëm dhe pa garanci për një proces gjithëpërfshirës. Mbledhja e së hënës pritet të jetë vendimtare për fatin e reformës territoriale dhe për raportin politik mes mazhorancës dhe opozitës në këtë proces.