AKTUALITET, 9 Maj 2025, 12:42

"U gjetën para, lista me emra dhe tollona nafte"/ Reagon PSD: Nuk u kontrolluan shtabet, vetëm banesa e kryetarit në Malësinë e Madhe

"U gjetën para, lista me emra dhe tollona nafte"/ Reagon PSD: Nuk

Mbrëmjen e djeshme, gazetarja Klodiana Lala, raportoi në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, se BKH ka zhvilluar kontrolle te njerëz që dyshohet se i përkasin shtabit elektoral të Tom Doshit. 

"BKH, disa agjentë, të mbështetur nga policia, kanë ushtruar kontrolle personale dhe të automjeteve për disa shtetas që dyshohen si bashkëpunëtorë ose pjesë e shtabeve elektorale të zotit Tom Doshi.

Gjatë kontrolleve, janë kontrolluar 7 persona, një punonjës i OSHE. Janë marrë 7 celularë. Është ushtruar kontroll në 9 automjete, njëri në pronësi të OSHEE. Po ashtu janë gjetur lista me emra qytetarësh. Është operacion i koduar "Premtimi". Deri tani, përmes dëshmitarëve dhe vëzhgimeve në terren, rezulton se janë premtuar para në këmbim të votës. Janë firmosur urdhër kontrolle. Nuk ka patur të ndaluar sepse po kryqëzohen të dhënat, në telefonat dhe vëzhgimet në terren. Po ashtu, rezulton se ka të dhëna, bëhet fjalë për një krim që vijon dhe mund të gjenden dhjetëra komunikime, mund të japin të dhëna për arrestimin e personave. Një prej personave nuk ka pranuar kontrollin e policisë dhe është shoqëruar në komisariat, por pastaj është lënë i lirë.

Janë gjetur lista me emra qytetarësh dhe shumat përkatëse që dyshohet se do t'ju jepeshin qytetarëve. Janë gjetur shuma parash dhe tollona nafte", deklaroi ndër të tjera Lala. 

Lidhur me këtë lajm, ka reaguar PSD e Tom Doshit. Në reagim thuhet se nuk ka patur kontrolle në shtabin elektoral të kësaj partie, por pranojnë se ka patur kontroll në banesën e kryetarit të PSD në Malësinë e Madhe, Ardian Hysa. 

"Të vetmit person që i është kryer kontroll në banesën e tij është Kryetari i PSD-së për Malësinë e Madhe, z. Ardian Hysa. Sipas procesverbalit të lëshuar nga SPAK-U, rezulton se nuk është gjetur asgjë e paligjshme në banesën dhe mjedisin e tij të punës. Z. Hysa është treguar bashkëpunues dhe ka shprehur gadishmërinë e tij për të qenë në dispozicion të organeve ligjzbatuese", thuhet në reagim. 

Reagimi i plotë: 

"Lidhur me disa lajme të bëra publike dhe të shpërndara në media të ndryshme, për përfshirjen në veprimtari të paligjshme zgjedhore të disa anëtarëve të shtabeve elektorale të PSD-së në veri të vendit, Partia Socialdemokrate përgënjeshtron çdo lajm të tillë. Është një dizinformim i qëllimtë dhe dashakeqës.

Lajmet janë të pavërteta dhe spekulative; janë sulme të drejtpërdrejta ndaj PSD-së, pasi asnjë nga anëtarët tanë nuk është përfshirë në krime zgjedhore. Nuk ka patur prezencë të policisë dhe as BKH-së në asnjë shtab, në asnjë zyrë elektorale. Këto janë shpifje monstruoze dhe të papranueshme.

Ne mbështesim SPAK-un në mënyrë të padiskutueshme, madje kemi bërë deklarata të shpeshta si dhe thirrje për SPAK-un dhe GJKKO-në që të hetojnë çdo krim zgjedhor. Për më tepër, PSD-ja ka kërkuar ndihmë dhe mbështetje të autoriteteve përkatëse që të marrin seriozisht ankesat e qytetarëve në Qarkun e Shkodrës dhe të hetojnë fuqimisht çdo shkelje të ligjit në drejtim të krimeve zgjedhore.

PSD-ja nuk ka patur dhe nuk ka asnjë lidhje me askend tjetër të cilëve u janë kryer kontrolle në zyrat apo banesat e tyre. Në vijim, kushdo që përfshihet në të tilla krime zgjedhore duhet të mbajë përgjegjësi ligjore dhe PSD-ja do të distancohet menjëherë.

Të vetmit person që i është kryer kontroll në banesën e tij është Kryetari i PSD-së për Malësinë e Madhe, z. Ardian Hysa. Sipas procesverbalit të lëshuar nga SPAK-U, rezulton se nuk është gjetur asgjë e paligjshme në banesën dhe mjedisin e tij të punës. Z. Hysa është treguar bashkëpunues dhe ka shprehur gadishmërinë e tij për të qenë në dispozicion të organeve ligjzbatuese.