AKTUALITET, 15 Qershor 2024, 10:56

Tubimi kundër Erion Veliajt, policia arreston një protestues dhe vë nën hetim gjashtë të tjerë

Tubimi kundër Erion Veliajt, policia arreston një protestues dhe

Policia e Tiranës vazhdon me arrestimin e protestuesve, të cilët protestojnë kundër korrupsionit të kryebashkiakut Erion Veliaj, duke kërkuar largimin e tij dhe marrjen e tij të pandehur nga SPAK, për inceneratorin fantazëm dhe aferën e dosjes “5D”.

Në lidhje me protestën e djeshme të mbajtur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozita para Bashkisë së Tiranës, blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se kanë arrestuar një protestues dhe kanë vënë nën hetim 6 të tjerë.

Më konkretisht është vënë në pranga shtetasi B. K., 39 vjeç, banues në Tiranë. Ai akuzohet për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ndërsa janë proceduar penalisht dhe shtetasit E. P., 24 vjeç, D. P., 62 vjeç, R. D., 20 vjeç, I. T., 49 vjeç, K. K., 43 vjeç, dhe P. O., 66 vjeç. Ata akuzohen për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës”, dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Protesta e djeshme ishte e 12-ta e mbajtur kundër Veliajt, teksa opozita ka deklaruar se nuk do të tërhiqet dhe të premten e ardhshme do të mbajë protestën e radhës.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, arrestoi në flagrancë shtetasin:

– B. K., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjithashtu, procedoi në gjendje të lirë shtetasit E. P., 24 vjeç, D. P., 62 vjeç, R. D., 20 vjeç, I. T., 49 vjeç, K. K., 43 vjeç, dhe P. O., 66 vjeç, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës”, dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Materialet i kaluan Prokurorisë.