AKTUALITET, 15 Qershor 2024, 10:19

Qumështi i importit “mbyt” prodhuesit

Qumështi i importit “mbyt” prodhuesit

Qumështi i prodhuar nga fermeri vendas vijon të mbetet më i shtrenjtë, krahasuar me qumështin e prodhuar në rajon apo Europë, pavarësisht uljeve të shpeshta të çmimit, që u shoqërua dy herë me protestë nga blegtorët në muajin prill.

Për rrjedhojë, fabrikat përpunuese po shtojnë sasitë e qumështit të importuar, si lëndë të parë, kryesisht nga Italia, Sllovenia dhe Serbia.

Sipas të dhënave të Doganave, në periudhën janar-maj 2024 u importuan 7,1 milionë litra qumësht. Kjo është sasia më e lartë e periudhës që prej vitit 2017, kur nisi zbatimin për herë të parë skema e TVSH-së së kreditueshme 20% për agropërpunuesit.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023, importet e qumështit u rritën me 4%. Ndërsa importet e qumështit pluhur për muajt janar-maj ranë me 45%, sipas të dhënave të Doganave.

Qumështi i importit “mbyt” prodhuesit

Sipas të dhënave të Doganave, 27% e qumështit të importuar vjen nga Italia, 16% e totalit të importeve e zë qumështi nga Sllovakia, 14,5% importet nga Hungaria, 13% nga Bosnjë-Hercegovina, 11% nga Kosova, rreth 9% nga Serbia etj.

Sipas operatorëve vendas, në Europë, prodhimi i qumështit ka qenë i mbarë dhe ka shumë tepricë me çmime të ulëta.

Luis Ndreka, nga kompania ADG (ish-“Lufra”) pohoi se aktualisht po importojnë 5% të totalit të qumështit, të përdorur si lëndë të parë, nga shtete si Sllovenia, Hungaria dhe Serbia.

Në muajt korrik-gusht, lënda e parë nga importi pritet të zërë 30% të totalit të qumështit të përdorur për prodhim.

“Në këtë periudhë, lënda e parë e importuar është më pak se 5% e totalit, por në muajt korrik dhe gusht, arrin deri në 30% të totalit.

Pas përfundimit të verës, nivelet e importit pothuajse zerohen”. Ai thekson se mesatarisht, çmimi i qumështit të lopës nga importi, përfshirë koston e transportit dhe taksave, arrin në 55 lekë për litër, rreth 38 lekë për litër më lirë sesa prodhimi vendas.

Qumështi i importit “mbyt” prodhuesit

Sipas blegtorëve në vend, qumështi i lopës nga fermat e mëdha dhe të mesme po grumbullohet me çmim 65 deri në 67 lekë pa TVSH për litër nga 78 lekë pa TVSH që ishte më parë. Nga fermat e vogla, qumështi po grumbullohet me çmim 60 lekë pa TVSH për litër.

Drejtuesit e fermave të mëdha dhe të mesme në vend ngrenë shqetësimin se çmimi i shitjes së qumështit në këto nivele është në koston e ushqyerjes së kafshëve. Kjo sipas tyre pritet të sjellë uljen e numrit të krerëve në ferma.

Ervin Resuli, ekspert i bujqësisë, njëkohësisht dhe zotërues i një ferme të nivelit mesatar në zonën e Fierit tha se, disa përpunues në zonën e Myzeqesë kanë lajmëruar se nga 1 qershori nga fermat e vogla qumështi do të blihet 55 lekë pa TVSH për litër, nga 60 lekë pa TVSh për litër që mblidhej më parë.

Z.Resuli ngre shqetësimin se çmimi i shitjes 55 lekë për litër është i barabartë me koston ushqyese të kafshëve. Sipas tij, vetëm për ushqimin e një lope, fermeri shpenzon në ditë 1,200 deri në 1,300 lekë, ndërsa fitimi neto, pa përfshirë kostot e fermerit për mbajtjen e fermës dhe shlyerjen e kredive, llogaritet të arrijnë deri në 3 euro në ditë, apo rreth 1 mijë euro në vit.

Edhe një prej drejtuesve të fermave të mëdha pohoi në anonimat se çmimet e grumbullimit të qumështit janë nën koston e prodhimit.

“Në vend, çmimi i qumështit është shumë i lirë, pra po grumbullohet nën koston e prodhimit. Edhe pse çmimi i qumështit në vend ka rënë dhe kjo po dëmton blegtorët, nuk mund të fajësohen fabrikat për këtë situatë. Përpunuesit nuk mund të marrin qumësht pa fund. Konsumi është në rënie.

Ndërsa qumështi nga jashtë të vjen në derë të fabrikës më lirë sesa qumështi i prodhuar në vend, për shkak të subvencionove të lartë që u jepen fermerëve. Kjo situatë shumë shpejt do të shkaktojë epideminë e shitjes së kopeve”, pohoi ai.

Rënie tjetër e çmimeve të qumështit është lajmëruar edhe nga grumbulluesit e zonës së Korçës, sipas Taulant Pupës, drejtues i fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita 2001” në Nizhavec të Pogradecit.

“Është lajmëruar për një rënie të çmimit të qumështit të lopës nga 60 lekë në 57 lekë për litër pa TVSH; qumështit të deles, nga 140 në 130 lekë për litër pa TVSH, dhe atij të dhisë, nga 90 lekë në 80 lekë për litër pa TVSH”, tha ai.

Nëse do të ketë një tjetër rënie të çmimit të grumbullimit të qumështit në treg, kjo ka për të krijuar stok të mallit të pashitur të prodhuar me çmim të lartë, sipas drejtuesit të kompanisë Erzeni z. Sajmir Begaj.

Ndërsa punishtet e vogla artizanale, siç është kompania “Zyfi Farm” me qendër në fshatin Bërzullë të Tiranës vazhdojnë të grumbullojnë qumështin e lopës, deles dhe dhisë me çmimet e vendosura në janar 2024.

“Zyfi Farm”, e themeluar në vitin 2013, funksionon si punishte artizanale e përpunimit të qumështit, me qëllim prodhimin e kosit autentik shqiptar. Së shpejti pritet të hidhen në treg edhe 4 lloje djathërash të linjës së përpunimit artizanal.

Kompania është e pranishme në treg me sasi të vogël prodhimi, e kushtëzuar për të nxjerrë sasi të lartë nga procesi artizanal i prodhimit, kundrejt atij industrial, që nuk e kufizon sasinë. Lënda e parë sigurohet nëpërmjet kontratave që ka me disa blegtorë të zonës së Tiranës, Durrësit apo Krujës.

Gerald Zyfi, administratori i punishtes, tha për “Monitor”, se aktualisht, qumështin e lopës po e grumbullon 64 lekë pa TVSH, të deles 140 lekë pa TVSH dhe atë të dhisë, 120 lekë pa TVSH.

“Ne vijojmë të zbatojmë me korrektësi kontratat që kemi me fermerët.

Nuk mund të luajmë lojën e përpunuesve të mëdhenj që të ulim çmimin e qumështit të grumbulluar, pasi ashtu nuk do të mund të mbijetonim në treg si përpunues të vegjël. Te fermerët e blejmë më shtrenjtë qumështin sesa të tjerët, pasi përparësi kemi vazhdimësinë e kontratave me fermerët vendas.

Që nga janari, po operojmë me të njëjtat çmime nga blerja e fermerëve. Gjithashtu prioritet te prodhimet tona mbetet cilësia e qumështit. Mund të gjendet qumësht me çmim më të lirë, por sasia nuk është e lartë”, nënvizon ai.

Qumështi i importit “mbyt” prodhuesit

Rënia e çmimit të qumështit, efektet te prodhimi…

Fabrikat e përpunimit të qumështit parashikojnë se rënia e çmimit të grumbullimit nuk do të ndikojë negativisht tek ulja e krerëve të kafshëve dhe prodhimi.

Për drejtuesit e fermave parashikohet tjetër situatë. Sipas tyre, rënia e çmimit të qumështit do të shoqërohet me ulje krerësh të bagëtive.

“⁠Deri tani nuk ndihet rënie e prodhimit, pas rënies së çmimit, pasi besoj se niveli i çmimit të qumështit të lopës në tarifat 60-66 lekë për litër pa TVSH, është një çmim që e nxit prodhimin dhe investimet në ferma, – pohon Luis Ndreka.

Edhe drejtuesi i fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita 2001”, Taulant Pupa, nuk parashikon efekte negative të rënies së prodhimit nga ulja e çmimit. “Prodhimi i qumështit nuk ka rënë.

Tendenca është në rritje. Tashmë prodhimi ka kapur stabilitet”, pohon ai.

Në vitin 2022 sipas të dhënave të INSTAT sasia e qumështit të grumbulluar në vend arriti 110 mijë tonë. Krahasuar me 2021 sasia e qumështit të grumbulluar ra 4%.

Ervin Resuli parashikon se rënia e çmimit të qumështit veçanërisht të të imtave do të sjellë rënie të tufave të bagëtive dhe falimentime te blegtorët.

“Në 2023, kur qumështi i të imtave i prodhuar nga fermeri u shit me çmime të larta prej 120 deri në 180 lekë, shtoi numrin e krerëve të të imtave, pasi për fermerin, ishte e leverdishme mbajtja e bagëtive.

Për vitin 2024 kemi rënie të çmimit të qumështit të të imtave, por kemi edhe rënie të tufave të të imtave.

Nëse fermeri e shet qumështin e deles apo të dhisë nën 140 lekë për litër, për të falimentimi është i sigurt”, nënvizon Resuli.

Qumështi i importit “mbyt” prodhuesit

A e ka përmirësuar konsumin ulja e çmimeve të bulmetit?

⁠Pas rritjes së fortë deri në 40% që çmimet e bulmetit shënuan në vitin 2022 deri në shtatorin e vitit 2023, sipas drejtuesve të fabrikave të përpunimit të qumështit, nga fundi i vitit të kaluar dhe deri tani tendenca e tyre është në rënie.

Rritja e lartë e çmimeve solli rënie të konsumit. Aktualisht kur çmimet e mallrave të bulmetit janë më lirë se më parë për disa operatorë, kjo nuk është reflektuar me përmirësim të konsumit për shkak të emigracionit.

“Çmimet e produkteve të bulmetit kanë tendencë rënie. Ndërsa kërkesa për konsum ka rënie shumë të lartë krahasuar me vitin e kaluar, për shkak të emigracionit.

Ndërsa ardhja e turistëve ende nuk ka filluar të ndihet. Shpresojmë të përmirësohet nëse do të ketë bum turistik”, pohon Taulant Pupa, nga kompania “Vita 2001”.

Sipas Luis Ndrekës, që kur nënproduktet e qumështit po shiten më lirë në treg, konsumi është përmirësuar.

“Çmimet e nënprodukteve të bulmetit kanë një tendencë rënëse, duke filluar që nga shtatori i vitit të kaluar.

Rënia e fundit e çmimeve ka ndodhur në fillim të muajit maj, kur e gjithë kategoria e produkteve të kosit, djathit të bardhë dhe djathit kaçkavall ka rënë me rreth 8-10%. Mendoj se edhe rritja e fuqisë blerëse e ka amortizuar luhatjen e konsumit.

Gjithashtu, për ne rezulton se ardhja e turistëve e ka zbutur uljen e konsumit”.

Për sa i përket konsumit, Gerald Zyfi thotë se ka kërkesë të lartë, sidomos për kosin e deles nga turistët e huaj. Në treg, kosi artizanal tregtohet në ambalazhim qelqi, që kushtojnë 5-fish më tepër se përdorimi i ambalazhimit plastik.

Kostoja e lartë e ambalazhimit dhe procesi i prodhimit ndikojnë te çmimet e këtyre produkteve që janë më të shtrenjta se ato industriale. Kompania parashikon të aplikojë ulje të çmimeve nëse do të vijojë trendi rënës i çmimeve të lëndëve të para në tregun e brendshëm dhe të huaj.

Të ardhurat e 4 operatorëve kryesorë të përpunimit të qumështit në vend në vitin 2022 ishin rreth 4,2 mld lekë. Krahasuar me 2021, të ardhurat e tyre u rritën me 26%.

Fitimet e operatorëve arritën në vlerën e rreth 266 mln lekëve. Krahasuar me 2021, fitimet e tyre u rritën me 25%

Për vitin 2022, të ardhurat e kompanisë “ADG sh.p.k.” (prej muajit mars 2022 emri i shoqërisë nga “Lufra” sh.p.k. u ndryshua në “ADG” sh.p.k.) u rritën 21% krahasuar me 2021. Ndërsa fitimet e kompanisë u zgjeruan 12% në 2022, sipas të dhënave të QKB-së.

Për operatorin “ERZENI sh.p.k.”, të ardhurat në 2022 u rritën me 38% dhe fitimet me 41% në raport me vitin paraardhës.

Të ardhurat e kompanisë “Gjirofarma” për vitin 2022, krahasuar me 2021, ranë 12% dhe fitimet 11%.

Kompania “MIRELI” rriti të ardhurat për 2022 rreth 56% dhe fitimet 51% krahasuar me një vit më parë./Monitor

Qumështi i importit “mbyt” prodhuesit