AKTUALITET, 16 Gusht 2025, 13:45

Tentoi të vriste me makinë komshiun e tij, vihet në pranga i riu. 40-vjeçari pëson dëmtime nga përplasja, përfundon në spital

Tentoi të vriste me makinë komshiun e tij, vihet në pranga i riu.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Perlat të Sukthit, ku një konflikt i çastit mes dy fqinjëve ka degjeneruar në dhunë të rrezikshme. Policia e Durrësit ka arrestuar 32-vjeçarin Benard Shkajoti, i cili akuzohet se tentoi të vriste me automjet komshiun e tij, pas një sherri për motive të dobëta.

Sipas uniformave blu, gjithçka nisi pas një debati të ashpër mes dy fqinjëve, që më pas përshkallëzoi në ofendime dhe fyerje. Në kulmin e konfliktit, Shkajoti hipi në automjetin që drejtonte dhe e përplasi me shpejtësi drejt 40-vjeçarit L. D., duke i shkaktuar atij plagë të shumta. I dëmtuari u transportua menjëherë në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Kontrollet e kryera nga shërbimet e Komisariatit të Durrësit dhe Policia Rrugore zbuluan se autori ishte në gjendje të dehur, me një nivel prej 0.92 mg/l alkool në frymëmarrje. Ndërkohë, automjeti i tij u sekuestrua si provë materiale.

Për ngjarjen e rëndë, 32-vjeçari do të përballet me akuzat për “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Drejtim të automjeteve në mënyrë të parregullt”. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.