AKTUALITET, 4 Nëntor 2023, 12:05

Skemë mashtrimi 15 milionë euro, Gjykata e Posaçme lë në burg bosin e “Call-Center”-ave

Skemë mashtrimi 15 milionë euro, Gjykata e Posaçme lë

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg shtetasin me iniciale M.D., të akuzuar si një nga boset e “Call-centerave” që mashtronin europianët duke iu zhvatur miliona euro. 

Shtetasim M.D., u arrestua më 2 nëntor 2023 nga Policia e Tiranës teksa qëndronte i fshehur në kryeqytet. 

30 vjeçari ishte shpallur në kërkim në dhjetor 2022 pasi Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, akuzohet se ka mashtruar shtetas të huaj, duke i bindur që të investojnë në kriptovaluta, shuma të ndryshme parash, të cilat më pas i kanë përvetësuar.

30 vjeçari akuzohet se është pjesë e grupit kriminal që përdornin skema mashtrimi me call center, dhe u zbuluan në fund të vitit 2022. Dëmi i përllogaritur që këta persona kishin marrë nga shtetas italianë shkon deri në 15 milionë euro. 

Shtetasi M.D., rezulton të jetë pronar i disa kompanive në fushën e telefonisë dhe ndërtimit, “N.M-09” në fushën e tregtisë së mallrave ushqimore.