AKTUALITET, 21 Korrik 2025, 12:10

Shtyhet gjyqi në GJKKO për dosjen “Partizani”, Berisha: Jam i gatshëm të paraqitem sipas këshillës së avokatëve

Shtyhet gjyqi në GJKKO për dosjen “Partizani”, Berisha:

Seanca e radhës për procesin gjyqësor ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe të bashkëpandehurve në çështjen e njohur si “Partizani” është shtyrë për në datën 15 shtator.

Berisha, i cili është në masë sigurie “detyrim paraqitje”, përballet me akuza për shpërdorim detyre në lidhje me privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë.

Në dosjen gjyqësore janë të përfshirë edhe persona të tjerë, mes tyre dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.

Përfaqësuesi ligjor i kryedemokratit u shpreh se gjyqtarët për të shqyrtuar dosjen e Sali Berishës, duhet të caktohen nga jashtë GJKKO-së.

“Kërkojmë përjashtimin e 3 gjyqtarëve te GJKKO dhe caktimin e gjyqtareve jashtë gjykatës se posaçme për shqyrtimin e kësaj çështje”, tha avokati i Berishës.

Në një deklaratë për mediat pas paraqitjes në SPAK, në lidhje me seancën që zhvillohet në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Partizani”,Berisha tha se prezenca ose mungesa e tij në sallën e gjyqit nuk vendoset prej tij, por nga avokatët që ndjekin çështjen.

“Paraqitja ose mosparaqitja ime caktohet nga avokatët. Kjo është një seancë ku do të paraqiten pretendimet e mbrojtjes,” deklaroi Berisha.

Berisha theksoi se është i gatshëm të paraqitet në çdo seancë “në përputhje me këshillën e avokatëve”, duke lënë të kuptohet se nuk do të shmangë procesin, por do ta ndjekë në mënyrë të koordinuar me mbrojtjen ligjore.

"Paraqitja ose mosparaqitja ime caktohet nga avokatët. Kjo është një seancë ku do të paraqiten pretendimet nga avokatët. Kemi të bëjmë me gjykatës që në mënyrë anti kushtetuese, në kundërshtim më Kartën Europian të të Drejtave të Njeriut janë nën kontrollin e një delinkuenti të quajtur Altin Troplini. Ky është një problem në themel i drejtësisë shqiptare. Jam i gatshëm të paraqitem sipas këshillës së avokatëve.

Nuk kam asnjë kundërshti për asnjë gjykatës konkret, përveç ndonjërit që është në apel.
Ai, i njohur tani, famozi, por nuk kam kundërshti për gjykatës konkret.
Por kam kundërshti për një parim themelor që ka të bëjë me pavarësinë e gjykatësit në detyrën e tij.
Nuk mundet kurrë që gjykatësi që shqyrton dosjen e Altin Troplinit, të kontrollohet nga Altin Troplini.
Thashë unë, ju duhet të bëni hetim.
Ka pasur një gjë të rëndë aty brenda, unë po e hetoj, por thuhet se aty për shkak të refuzimit të njërit prej anëtarëve të gjykatës speciale, ka shkuar puna te rrëmbimi i kompjuterit, etj, etj.
Gjëra të tilla janë të dënueshme, edhe në Korenë e Veriut nuk ndodhin.

PD ka bindje se çdo emërim në Gjykatën Kushtetuese bëhet vetëm e vetëm me një qëllim: Për të larguar në kundërshtim nga gjykata persona të cilët kanë mandatin 8-vjeçar.
Dhe meqenëse duan të mos ketë asnjë zë kundër, po të jenë 100 përqind dhe t’i kapin peng.
A e ke të qartë ti kush u mor peng me skenat erotike?
Po, siç më kanë ardhur mua, u kanë ardhur edhe ju.
Dhe nga kush është marrë peng? Nga Dumani.
Pra këta kërkojnë që t’i kenë të marrë peng, që të vendosin ashtu siç thotë Rama.
Pra, së pari, PD është absolutisht kundër vendimeve militanteske partiake të Sokol Sadushit, i cili jashtë çdo tagri ka ndërhyrë në proces dhe e konsideron këtë si përpjekje për të marrë aty edhe të vetmin që nuk kishin, por që do jetë një akt i mirëfilltë antikushtetues."- tha Berisha.