AKTUALITET, 21 Korrik 2025, 09:41

Rama: Monitorim me dronë për hapësirat publike, s’ka kthim pas në zaptimin e territorit

Rama: Monitorim me dronë për hapësirat publike, s’ka kthim

Kryeministri Edi Rama tha se procesi i çlirimit të hapësirave publike do të mbështetet gjithnjë e më shumë në teknologji, duke shmangur kthimin pas në zaptimin e territorit nga subjektet private.

Gjatë rubrikës “Sy m’SY”, Rama njoftoi se ka nisur puna për monitorimin teknologjik të rrugëve me kontrollin e trafikut, por do të shtrihet edhe te shkollat dhe hapësirat publike, duke theksuar se s’ka kthim pas në zaptimin e territorit.

"Ka nevojë për organizim të mëtejshëm. Nuk është çështje inspektorësh, por është çështje e vendosjes në një nivel tjetër të kontrollit përmes teknologjisë. Jemi afër në këtë aspekt. Ndërkohë, që kemi nisur punën me monitorimin teknologjik të rrugëve, kemi prezantuar qendrën e monitorimit të trafikut. Kemi pjesë të këtij plani pune edhe monitorimin e shkollave, por jemi në një proces për të nisur edhe monitorimin teknologjik, të strukturuar, të territorit. Do ndjekim gjithçka ndodh në territor përmes dronëve dhe informacioni të marrë nga dronët, gjë që do të bëjë që puna e inspektorëve dhe syve në terren të ballafaqohet me vëzhgimin e teknologjisë. Kjo do na çojë në nivel tjetër dhe do jemi shumë më të sigurt për mos prapakthimin e asnjë progresi në këtë drejtim”, tha Rama.

Rama iu përgjigj ndjekësve për shqetësimet që kishin, duke u shprehur i sigurt se nuk ka kthim pas nga aksioni për lirimin e hapësirave publike dhe ndërtimet pa leje, që e quajti edhe Rilindja Urbane 2.0.

Kurse pyetjeve ironizuese që ndjekësit i bënin, ai iu përgjigj me batutën se ishin me PD-në dhe ndaj ishin në opozitë.

“Ndaj jeni në opozitë, se jeni me këtë mendje”, ironizoi kryeministri.
Rama foli edhe për problematikën për rrugën Shkodër-Lezhë, prokurim që është anuluar disa herë.

“E kemi shpjeguar dhe rishpjeguar, është proces, i kemi të gjitha gati, por na duhet transparencë, na duhet një partner i besueshëm, ndaj procesi është anuluar dy herë, në mos tre herë, sapo të kemi kontratën e lidhur do fillojmë edhe këtë segment, Shkodër-Lezhë”, tha kreu i qeverisë.
Ai shpjegoi përsëri edhe arsyen e këtij aksioni për lirimin e hapësirave publike, teksa mori si referencë një prej pyetjeve për zonën kaotike të Astirit në Tiranë.

“Kam qenë edhe në Astir, e di edhe çështjen e shkollës. Por të jeni të sigurt se çështjes së hapësirave publike nuk do i ndahem. Por edhe riurbanizimit, rilindjes së tij, Rilindja Urbane 2.0. Kemi 60 arkitektë që po merren në të gjithë vendin, lokalë dhe në Tiranë, për territoret urbane në zonën e komuniteteve, e kjo gjë do të ndodhi edhe në Tiranë, hap pas hapi. Tirana ka nevojë për kulturë urbane, nivel tjetër estetike shërbimesh, sepse ky është momenti që mund ta humbasim edhe titullin si lider tëturizmit në Ballkan, ndaj është edhe momenti për të transformuar shërbimet nga uji, territori, siguria ushqimore, urbanizimi. Janë piketa që do jenë kyçe për mandatin e katërt dhe që lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha Rama.