TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

23-vjeçarja Juliana Çelaj është studente në universitetin Politeknik të Tiranës, në degën e Arkitekturës. Tre muaj me parë nisi pune në profesion, ende pa marrë diplomën. “Para 3 muajsh pash një njoftim në një kompani që kërkonin arkitekte. Edhe pse isha student mendova të aplikoja. Pas aplikimit më thirrën në intervistë, dhe më pas më morën në punë, për mua ishte e papritur.”, tha ajo.
Studion në një degë mjaft të vështirë e cila kërkon shumë përkushtim, por Juliana ka arritur të balancojë oraret e shkollës me ato të punës, duke mos munguar tek asnjëra. “Kur kam mësim paradite, kërkoj tek puna që të bëj turnin e pasdites. Për fat të mirë kam një punë shumë fleksibël dhe stafi apo drejtuesit janë treguar shumë suportiv me mua duke më mbështetur.”, shtoi ajo.
Si shumë të rinj, edhe 23-vjeçarja e kishte menduar që pas përfundimit të shkollës të ikte jashtë, por puna që ka nisur i ka ndryshuar shumë plane. Tani e mendon jetën e saj ne Shqipëri. Rezarta Gjika është një tjetër zonje e përkushtuar te puna dhe shkollimi. Pasi kishte kryer dy fakultete jashtë vendit, prej dy vitesh ka nisur studimet për Inxhinieri Mekanike. Ketë formim e sheh si të nevojshëm për të ndjekur biznesin familjar të çelur prej kohesh.
“Unë kam bërë dy universitete jashtë, për menaxhim biznesi si edhe për gjuhë të huaja. U ktheva në Shqipëri pasi kuptova që doja të merresha me autoshkollën që babai hapi 32 vite më parë. Por për të qenë drejtuese teknike, më duhet të kem patjetër diplomën. Unë paguaj një drejtues teknik sa për postin ndërsa të gjithë detyrat i realizoj vetë.”, tha ajo. Si grua dhe nënë, për Rezartën nuk ishte e thjeshtë që të nisë çdo gjë nga e para. “Sigurisht që është e vështirë pasi unë jam edhe nënë e një vajze. Por e kuptova vonë se çfarë kisha dëshirë të punoja dhe më duhet të sakrifikoj për të qenë aty ku duhet. Për fat të mirë disa prej krediteve nga shkollat jashtë m’u njohën edhe këtu, dhe kalova direkt në vitin e dytë.”, tha ajo.