AKTUALITET, 10 Maj 2024, 13:52

Ndryshimi i ligjit për Akademinë e Shkencave/ Zhupa dorëzon padi në Kushtetuese: Shkelje flagrante! Garanton pension luksi për deputetët e PS-së

Ndryshimi i ligjit për Akademinë e Shkencave/ Zhupa dorëzon padi

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa ditën e sotme është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese  ku ka dorëzuar një padi nga 37 deputetë të opozitës kundër ndryshimeve të ligjit për Akademinë e Shkencave. Gjatë fjalës së saj Zhupa u shpreh se ky ndryshim i ligjit do të garantojë vetëm futjen e hundës së politikës në Akademinë e Shkencave dhe asgjë tjetër.

"Ju e dini që bëhet fjalë për një ligj që është kaluar me votat e mazhorancës, me propozimin e dy deputetëve, Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj për disa ndryshime në ligjin e Akademisë së Shkencave, që garantonte vetëm futjen e hundës së politikës në Akademi dhe asgjë tjetër për Akademinë e Shkencave," theksoi Zhupa. 

Ajo më tej shtoi se ky ligj dhunon është antikushtetues pasi edhe në procedurë, edhe në përmbajtje ka shkelje flagrante të Kushtetutës. 

"Ky ligj në fakt u bë për të dhunuar akademizmin, u bë për të politizuar Akademinë e Shkencave;  është antikushtetues pasi edhe në procedurë, edhe në përmbajtje ka shkelje flagrante të Kushtetutës. 

Ai është një ligj që në fakt garanton atë që grupe të caktuara brenda PS, të përfaqësuar nga deputetët Koçi dhe Beqiraj duan të arrijnë, që mbasi të mbarojnë deputetë të caktuar të këtij grupi parlamentar, karrierën aktive si deputetë në Kuvend, të kalojnë në një pension luksi në Akademinë e Shkencave.  

Kjo në fakt është diçka që ka ndodhur dhe thjesht po sofistikohen mënyrat për të vazhduar kjo metodë, sepse po t’i referoheni një studimi që kanë bërë edhe mediat për numrin e anëtarëve në Asamblenë e  Akademisë që kanë qenë ish-deputetë dhe ish-zyrtarë të Partisë Socialiste.

Ky ligj ka dy lloj shkeljesh për të cilat kemi ardhur në Gjykatën Kushtetuese dhe unë falënderoj 37 kolegët deputetë që më besuan firmat e tyre në këtë proces dhe në këtë padi ën Gjykatën Kushtetuese,” nënvizoi Zhupa.