TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Humbjet e jetës në pandemi janë katër herë më të larta se shifrat zyrtare, të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Në më pak se dy vite janë mbi 14 mijë vdekje shtesë, por prej tyre vetëm 3407 kanë si shkak të njohur koronavirusin.
Mospërputhja e shifrave, në gjykimin e ekspertit të Shëndetit Publik, Erion Dasho, nuk është aspak çudi, sa kohë që qeveria ka zgjedhur të fshihet pas shifrave të manipuluara.
“Mos përputhja e shifrave nuk paraqet asnjë çudi. Kemi të bëjmë me një mashtrim të opinionit publik nga ana e qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Vdekje që fshihen, refuzim për të pranuar dhe njohur realitetin.
Në këto kushte ndjej keqardhje që Komiteti Teknik i Ekspertëve, Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria fshihen pas shifrave të manipuluara duke fshehur dështimin e tyre në raport me kontrollin e pandemisë”, pohon Dasho.
Nga analiza e të dhënave, të bëra publike një ditë më parë nga INSTAT-i, doktori vë në dukje se dimri i kaluar ka qenë i tmerrshëm për shqiptarët.
Në tremujorin e parë të vitit 2021 janë regjistruar më shumë se 10 mijë humbje jete, që është edhe shifra më e lartë përgjatë periudhës pandemike.
“Duke krahasuar të dhënat për vitin 2021, me ato të 2020-s, pesha më e madhe e vdekjeve, pra ajo që bën diferencën është tre mujori i parë. Kemi pasur një numër më të lartë vdekjesh përgjatë periudhës janar-shkurt-mars 2021 në raport me tre mujorin e parë të 2020. Janë më shumë se 10 mijë vdekje gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë, nëse do të shohim tremujorin e tretë dhe të katërt kemi më shumë vdekje se mesatarja e viteve të kaluara, por më pak vdekje se tre mujorët përkatës të vitit 2020.
Në këto kushte është një grafik i qartë se dimri i kaluar ka qenë i tmerrshëm për shqiptarët”, thekson Dasho, eksperti i Shëndetit Publik.
Duke u ndalur te shkaqet që mund të kenë çuar në përkeqësimin e situatës, doktori vë theksin te plani i masave, që sipas tij kanë qenë difektoze dhe nuk kanë dhënë asnjë efekt pozitiv në frenimin e përhapjes së pandemisë.
“Mendoj se, kjo situatë i dedikohet mos marrjes së asnjë mase gjatë kësaj kohe ose edhe ato masa që janë ndërmarrë nuk kanë dhënë efektet e pritshme.
Kjo u pasua me dëmet e jashtëzakonshme në shëndetin dhe jetën e qytetarëve shqiptarë.
U përballëm me një pandemi ku nuk është respektuar asnjë nga pjesët e trinomit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, testo-gjurmo-trajto, dhe gjatë gjithë kohës autoritetet shëndetësore dhe qeveria janë fshehur pas masave inekzistente, të cilat asnjëherë nuk i zbatuan ashtu siç duhet”.