AKTUALITET, 19 Dhjetor 2022, 10:18

Shembja e pallateve te “Myslym Keta”/ Berisha: Akt i shëmtuar, doni t’i mjeroni në prag të festave të fundvitit 90 familjet me 250 fëmijë

Shembja e pallateve te “Myslym Keta”/ Berisha: Akt i shëmtuar,

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për shembjen e një pallati në Tiranë.

Bëhet fjalë për një bllok pallatesh tek rruga, “Myslym Keta”, të cilët pritet të prishen ditën e sotme, pas ditëve të tëra përplasjeje mes banorëve dhe autoriteteve.

Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Berisha është shprehur se ky akt po kryhet “nga një bandë që fitimi i çnjerëzon deri në kockë”.

Ai shton se qeveria duhej patjetër t’i dëshpëronte për festat e fundvitit 90 familje, mes të cilëve 250 fëmijë.

“Një bandë, që fitimi i çnjerëzon gjerë në kockë! Duhej patjetër ti dëshpëronin dhe mjeronin për festat e fundvitit 90 familje, 250 fëmijë, të moshuar, burra e gra. Akt i shëmtuar. Sb”, u shpreh Berisha.

Kujtojmë se sipas banorëve, prej ditësh banorëve atyre u është ndërprerë energjia elektrike dhe uji, por ata vijojnë të qëndrojnë brenda banesave të tyre.

Banorët thonë se nuk ka vendim gjykate për prishjen e pallatit e se shkalla e vlerësimit për këtë pallat pas tërmetit ka ndryshuar disa herë.

Ata kanë thënë se nuk është bërë asnjë akt ekspertimi privat që ka nxjerrë pallatin me shkallën e dëmtimit DS2 dhe shprehen se kanë dyshime se pas shembjes së pallatit fshihen interesa të tjera.