AKTUALITET, 13 Prill 2022, 14:03

Sërish përplasje në PD/ Pampuri: Flamur Noka mashtroi për atë që ndodhi në mbledhjen e grupit

Sërish përplasje në PD/ Pampuri: Flamur Noka mashtroi për

Në Partinë Demokratike vijojnë përplasjet. Deputetja Oriola Pampuri akuzon Flamur Nokën, se ka “mashtruar” për gjërat që janë thënë në mbledhjen e grupit parlamentar.

Reagimi i Pampurit:

Gënjeshtrat dhe mashtrimi në emër të deputetëve të PD nga kolegu Flamur Noka, janë një fyerje e rëndë për secilin prej nesh.

Deformimi me dashje në publik i qëndrimeve tona, pa asnjë autoritet nga Grupi Parlamentar, jashtë realitetit të mbledhjes së djeshme, jashtë diskutimeve të përgjegjshme të secilit prej kolegëve të Grupit Parlamentar, nuk ndihmon në bashkimin e demokratëve.

Askush nuk ka të drejtë të shpallë qëndrimet e tij të izoluara si diskutime të Grupit Parlamentar.

Gjej rastin të ritheksoj qëndrimin e shumicës së deputetëve të Grupit Parlamentar për ndaljen e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes, sulmit dhe arrogancës mes demokratëve.

Çdo deputet i PD ka përgjegjësinë që në këtë moment të vështirë për PD të tregojë maturi dhe përgjegjshmëri në çdo komunikim me publikun, për të mos i fryrë më shumë rrugës së përçarjes.