AKTUALITET, 13 Prill 2022, 13:29

“Kush ka më shumë, paguan më shumë”/ Ministrja sqaron deklaratën e Ramës për rritjen e çmimit të energjisë: Ja si do të bëhet kategorizimi

“Kush ka më shumë, paguan më shumë”/ Ministrja

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka sqaruar deklaratën e kryeministrit Edi Rama i cili është shprehur se kush ka më shumë, do të paguajë më shumë.

Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Balluku thotë se nuk do të bëhet klasifikim i familjeve të pasura dhe të varfra.

Ministrja thotë se do të bëhet klasifikim për familjet që harxhojnë më shumë energji elektrike. Ajo thotë se aktualisht, fasha e sasisë së energjisë është 700 kilovat orë.

Ata që harxhojnë më shumë se kjo sasi energjie, do të paguajnë më shumë, por nuk zbuloi asnjë detaj mbi këto pagesa.

Më tej Balluku sqaroi se 700 kilovat orë është thjesht në kuadrin e propozimit dhe se nuk ka ende një vendim mbi këtë.

“Kryeministri nuk e ka thënë të pasur dhe të varfër, nuk mund t’i ndajmë kështu. Nuk kemi ndonjë synim që ti klasifikojmë kështu. Kryeministri i referohet personave që konsumojnë më shumë energji.

Ne po bëjmë një studim se sa kilovat orë i duhet familjeve normale për të konsumuar. Për të pasur elektroshtëpiake, ngrohje mesatare dhe për të pasur një familje mesatare. Përsa i përket familjarëve, duke pasur një analizë të mirëfilltë, cila konsiderohet një sasi që mund të sigurojë energjinë.

Sot po bëjmë diferencimin e një fashe. Rreth 700 kilovat orë është fasha. Nuk është marrë një vendim. Rreth 700 kilovat orë është mesatarisht sasia e energjisë që konsumon një familje.

Ata që harxhojnë më shumë, do paguajnë më shumë. Ne na është dashur t’i futemi kësaj analize për të klasifikuar energjinë e nevojshme. Kush do të harxhojë më shumë, do e paguajë” – tha Balluku.