AKTUALITET, 23 Maj 2026, 11:31

Sali Berisha voton për rikonfirmimin e vetes në krye të PD (Video)

Sali Berisha voton për rikonfirmimin e vetes në krye të PD

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur votën e tij në zgjedhjet për drejtimin e PD-së, në një garë ku emri i vetëm në fletën e votimit është… i tij.

Pas votimit, Berisha përshëndeti demokratët që kanë marrë pjesë në proces, duke e cilësuar atë si një ushtrim “shembullor” të demokracisë së brendshme, ku anëtarët kanë mundësinë të shprehin besimin apo edhe kundërshtinë ndaj kryetarit të partisë.

Sali Berisha voton për rikonfirmimin e vetes në krye të PD

Ai u bëri thirrje të gjithë anëtarëve që ende nuk kanë votuar të marrin pjesë në këtë proces, që sipas tij përfaqëson një standard demokratik të ngjashëm me praktikat e disa partive moderne europiane dhe botërore.

“Përshëndes të gjithë demokratët që kanë votuar deri tani në mbarë Shqipërinë në një proces shembullor, në të cilin në mënyrën më demokratike referendare i shprehin besimin ose kundërshtinë kryetarit të tyre. Ftoj demokratët që ende nuk kanë votuar të përmbushin këtë detyrim të rëndësishëm statutor, një praktikë që zbatohet në disa parti moderne europiane dhe botërore. Pjesa tjetër thjesht duartrokasin zgjedhjen në sallë,” u shpreh Berisha.

Në fund të deklaratës së tij, kreu demokrat theksoi se do të përmbushë “me përkushtim” detyrimet që burojnë nga vendimi i anëtarësisë, duke marrë kështu edhe një tjetër votëbesim në një garë pa rivalë.

Ai u shoqërua në qendrën e votimit nga bashkëshortja e tij, ndërsa procesi vijon normalisht në të gjithë vendin.

Sali Berisha voton për rikonfirmimin e vetes në krye të PD