AKTUALITET, 23 Gusht 2023, 17:21

Sali Berisha organizon primare për kandidatin e Kukësit (detajet)

Sali Berisha organizon primare për kandidatin e Kukësit (detajet)

Fraksioni i opozitës që drejtohet nga Sali Berisha, do të zhvillojë primare për të zgjedhur kandidatin për Bashkinë e Kukësit. 

Primaret do të mbahen të dielën më 27 gusht dhe nga dhjetë kandidatë që janë propozuar nga dega e demokratëve në Kukës, gjashtë prej tyre e kanë plotësuar formularin dhe pritet të jenë pjesë e kësaj procedure. 

Berisha i zhvilloi primaret edhe për kandidatët e 14 majit, por procesi u kontestua gjerësisht dhe shumë kandidatë u ankuan se ai ishte i paracaktuar dhe nuk pati garë. 

Ndërkohë është e paqartë se si do të garojë Berisha në këto zgjedhje dhe a do të strehohet ai te Partia e Lirisë, e cila ka edhe dy komisionerët e caktuar nga KQZ. 

Njoftimi: 

Kryesia e Partisë Demokratike në mbledhjen e saj për organizimin e procesit zgjedhor për Primare për zgjedhjet e pjesshme të datës 24 shtator 2023 në Bashkinë Kukës, vendosi:

1. Primaret të mbahen ditën e Diel, 27 Gusht 2023;

2. Kandidatët e primareve do të jenë sipas listës së miratuar nga Kryesia në aneksin bashkëlidhur këtij vendimi:

Mbështetur në dekretin e datës 11 gusht 2023 të Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë Kukës, në daten 16 gusht, KQZ ka përcaktuar afatet procedurale të cilat duhet të zbatohen nga partitë politike për regjistrimin e zgjedhjeve.

Nisur nga këto afate dhe në përputhje me statutin e PDSH-së dhe vendimin nr. 38 të datës 01.10.2022 të Keshillit Kombëtar për Primaret jemi të detyruar të organizojmë primaret në një kohë sa më të shpejtë.

Dega Kukës pas mbledhjes së Kryesisë realizuar me drejtuesin politik të qarkut në datën 16 gusht 2023 ka mbledhur kandidaturat për primaret për zgjedhjet vendore të datës 24 Shtator 2023.

Dega ka sjellë 10 propozime të cilat janë kontaktuar nga Sekretariati Organizativ dhe janë ftuar të plotësojnë dokumentacionin e kandidimit për Primaret.

Deri sot, në afatin e fundit për pranimin e dokumentacionit kanë plotësuar formularët 6 kandidatët nga te cilët 5 janë propozuar nga dega dhe një është vetëpropozim.