TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Zëvendësdrejtori në Sektorin e Policisë Kufitare malazeze, Dragan Klikovac është pezulluar nga detyra, pas incidentit të rëndë që u shënua në kufirin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, në fillim të vitit 2023, kur u dhunua Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Partinë e Lirisë, Petraq Milo, i cili ka shërbyer edhe si këshilltari i Ilir Metës, kur ky i fundit ka qenë President.
Petraq Milo dhe familja e tij janë dhunuar nga Policia malazeze në doganën e Murriqanit. Pamjet e dhunës u publikuan në rrjetet sociale dhe shihej qartë momenti kur ish-këshilltari i ish-presidentit Ilir Meta është nxjerrë zvarrë nga makina dhe më pas është përplasur pas një tjetre. Po ashtu, të njëjtin “fat” ka pasur edhe i biri, ndërsa një grua e dhunuar barbarisht, ka humbur ndjenjat brenda makinës.
Sot mediat malazeze kanë publikuar pamje të reja të dhunimit të Milos, djalit dhe të gruas që udhëtonin me të nga Shqipëria drejt Malit të Zi. Video është marrë nga djali i Milos, edhe ai i keqtrajtuar dhe jep momentin kur polici kufitar malazez kap fort me pëllëmbë gojën dhe fytyrën e zyrtarit shqiptar, që belbëzonte "Nuk kam bërë gjë", Nuk kam bërë gjë", ndërsa më pas u tentua të merrej telefoni dhe u nxorr me dhunë nga makina personale, ndërsa ishte në timon.
Pamjet u publikuan sot, nga mediat malazeze, pas gati një muaj e gjysëm nga ngjarja e rëndë, ku thuhet se Drejtoria e Policisë është duke përcaktuar se çfarë ka ndodhur në pikën kufitare Sukobin – Muriçan pasi mediat shqiptare njoftuan se oficerët e Policisë Kufitare të Malit të Zi kanë keqtrajtuar brutalisht një shtetas shqiptar.
Ngjarja u denoncua në policinë malazeze më 17 janar të këtij viti.
Videoja prej 34 sekondash e publikuar në media dhe në rrjetet sociale tregon keqtrajtimin e ashpër të Petraq Milos, i cili ishte ulur në makinë, ndërsa rreth tij qarkullonin të paktën tre policë kufitarë. Në një moment, shihet në video, një oficer i Sektorit të Policisë Kufitare–Jug nga dritarja e rrëmben me grusht për fytyre duke i thënë: “Sa të flasësh, tani do të thyej nofullën”.
Pas kësaj duken disa persona me uniformë, por me rroba civile dhe më pas njëri nga policët nxjerr me forcë shoferin nga makina duke bërtitur: “Lëre telefonin, lëre telefonin”.
Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve (BDSH) njoftoi më 17 janar se një anëtar i MPB-së malazeze “ngacmoi një shtetas të Shqipërisë”. Në një deklaratë dërguar mediave, ata kanë dërguar një video, e cila është publikuar nga një media shqiptare, ku shihet abuzimi.
“Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve u bën thirrje organeve kompetente si dhe kryeministrit Abazoviq që të marrin masat e duhura për të ndriçuar situatën e përdorimit të forcës nga ana e policisë ndaj personave të panjohur dhe për të sqaruar urgjentisht këtë situatë”, thuhej në deklaratë.
“Siç shihet qartë në video, jemi veçanërisht të shqetësuar se punonjësi i policisë i ka dhënë të drejtë vetes të keqtrajtojë në këtë mënyrë një shtetas shqiptar, i cili nuk bën asnjë rezistencë dhe nuk bën asgjë të kundërligjshme”, thuhej në komunikatë.