AKTUALITET, 2 Mars 2022, 23:30

Rusia referohet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale nga 38 shtete! Çfarë mund t'i ndodhë Putinit pas kësaj lëvizje?

Rusia referohet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale nga 38

Rusia është referuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, nga 38 shtete, për krime lufte që dyshohet se janë kryer gjatë agresionit ndaj Ukrainës. 

Kësaj nisme të rëndësishme u janë bashkuar 27 anëtarët e Bashkimit Europian, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Zvicra dhe vende të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë. 

Ministrja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, deklaroi se regjimi i Putin ka shënjestruar civilët dhe se "MB do të punojë ngushtësisht me aleatët për të siguruar që të ketë drejtësi". 

Rusia është firmëtare e Konventës së Gjenevës, por është tërhequr nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në vitin 2016, duke refuzuar të ratifikojë Statutin e Romës, pas pushtimit të Krimesë, ndaj personat që do të akuzohen, duhet të ndalohen në vende të cilat e pranojnë juridiksionin e gjykatës. 

Kjo lëvizje do të thotë se në rast dënimi të vetë Putin apo aleatëve të tij, me siguri ai do të izolohet në Rusi dhe nuk do të tentonte të shkelte më jashtë saj, të paktën në vendet që e kanë firmosur dhe ratifikuar Statutin e Romës, i cili ka krijuar këtë gjykatë. 

Kujtojmë se edhe SHBA-të, ngjashëm me Rusinë, nuk e kanë ratifikuar Statutin e Romës dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk ka juridiksion.