AKTUALITET, 3 Mars 2024, 15:22

RTK i ndaloi emisionin me hoxhën, Adelina Ismaili do ta publikojë në Facebook: Besoj ende në liri!

RTK i ndaloi emisionin me hoxhën, Adelina Ismaili do ta publikojë

Pas vendimit të RTK-së për të ndaluar transmetimin emisionit të Adelina Ismailit e cila kishte të ftuar teologun Drilon Gashi, këngëtarja reagoi me një postim duke thënë se do ta publikojë këtë episod në llogarinë e saj në Facebook.

Ismaili gjithashtu bëri të ditur se transmetimi i këtij episodi të emisionit të saj “Show i së premtes” do të bëhet të dielën.

“Miq të mi. Emisionin e plotë ‘Show i së premtes’ me mysafir teologun Drilon Gashin, do ta publikojmë nesër në Facebook-un tim. Unë besoj ende në liri”, shkroi ajo në një postim në Instagram.

“Unë jam Adelina e vogël që këndonte ‘Me dy gishta përmbi sy të kërkoj demokraci’ me Zanfinen 5 vjeçare, nën hundët e milicisë. Unë jam Adelina e ‘Lavdi ushtari im’ në kohë lufte. Unë jam Adelina e ‘Ushtrinë time do ta bëj’ e pasluftes. Unë jam ‘Sajzeza’ e ‘Amaneti’. Unë jam ‘Skenderbeu’ e ‘Konstantini’ Unë nuk frikësohem, por zhgënjehem. Dhe ngritem prap. Unë jam nënë e cila nuk beson në robëri. Unë jam grua e cila vdes vetëm për dashuri. Jam motër krenare. Jam bijë e kësaj toke, tjetër nuk kam. Jam Adelina juaj tash e 38 vite. Ju uroj shikim të këndshëm nesër. Një fitore e vogël në një rrugë të gjatë. Nga zemra faleminderit për mbështetjen”, theksoi këngëtarja e njohur shqiptare.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Adelina Ismaili (@adelinaofficiel)

Mos-transmetimi i këtij episodi në RTK (vendim i u.d të kryeredaktorit të televizionit shtetëror) nxiti mjaft reagime, madje edhe nga vetë teologu Gashi.

RTK i ndaloi emisionin me hoxhën, Adelina Ismaili do ta publikojë
Adelina Ismaili dhe teologu Drilon Gashi


Ai përmes një postimi në Facebook e quajti si diskriminim kundrejt tij, derisa tha se vendimi ishte i i ndikuar nga e kaluara e tij gjyqësore që ishte mbyllur tashmë shtatë vjet më parë. 

"Me shumë zhgënjim dua të ndaj me ju lajmin se, pavarësisht pritjeve dhe përgatitjeve të bëra, emisioni ku isha i ftuar në RTK, "Show i së Premtes" me moderatoren Adelina Ismaili, nuk u transmetua siç ishte paraparë. Emisioni, i cili synonte të adresonte çështje të ndjeshme dhe të rëndësishme për komunitetin tonë, duke përfshirë kombin, kulturën, fenë dhe shoqërinë moderne, u anulua nga stafi editorial i RTK-së për arsye që më prekin personalisht dhe që lidhen me një episod të shkuar të jetës sime.
Shtatë vjet më parë, pata një çështje familjare që rezultoi në një vërejtje gjyqësore, një çështje që e kam zgjidhur dhe mbyllur që atëherë, duke punuar pa pushim për të ndërtuar një jetë të lumtur dhe të qëndrueshme me familjen time. Është e dhimbshme që kjo ngjarje e kaluar po përdoret tani si justifikim për të më diskriminuar dhe mohuar mundësinë për të marrë pjesë në një diskutim publik që mendoj se ka rëndësi të madhe për të ardhmen e shoqërisë sonë.
Dua të theksoj se gjithmonë kam qenë dhe do të vazhdoj të jem përkrahës i dialogut të hapur dhe të ndershëm, duke respektuar ndryshimet dhe duke kërkuar mënyra për të ndërtuar ura ndërmjet njerëzve të ndryshëm. Jam i bindur se vetëm përmes komunikimit dhe kuptimit të ndërsjellë mund të arrijmë një shoqëri më të mirë dhe më të bashkuar.
Ndërsa kjo situatë më ka bërë të ndihem i shqetësuar dhe i zhgënjyer, ajo nuk do të më ndalojë të vazhdoj të kontribuoj me zërin dhe veprimet e mia për një Kosovë dhe botë më të mirë. Kam besim se e vërteta dhe drejtësia do të mbizotërojnë në fund, dhe shpresoj që ju, si miqtë dhe ndjekësit e mi, do të qëndroni pranë meje në këtë udhëtim.
Ju faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme"-shkroi Gashi.