AKTUALITET, 5 Prill 2022, 12:34

Rritja e çmimeve/ Ibrahimaj: Qeveria ka ndërprerë një pjesë të investimeve publike për paketën e rezistencës sociale

Rritja e çmimeve/ Ibrahimaj: Qeveria ka ndërprerë një

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj deklaroi sot se qeveria ka ndërprerë një pjesë të investimeve publike dhe shpenzimeve operacionale për të krijuar një hapësirë për paketën e rezistencës sociale për shkak të rritjes së çmimeve.

“Në vitin 2021 rritja ekonomike rezultoi 8.54%. Kjo rritje ishte e shpërndarë në të gjithë sektorët ekonomikë veçanërisht në atë të ndërtimit. Edhe turizmi ka pasur një kontribut të madh. Rritja ka ardhur si nga treguesit e konsumit të popullatës dhe nga formimi bruto i kapitalit fiks.

Duke u ndalur te administrimi fiskal reforma e fiskalizimit ka filluar ecurinë e saj pozitive. Sa i përket shifrave të biznesit të vogël mbi 80% kanë filluar procesin e fiskalizimit. Në përfundim të 6-mujorit të parë të këtij viti do të përfundojë procesi i fiskalizimit për të gjitha subjektet.  

Biznesi i madh ka një total prej 554 mijë të punësuar, ose 1% më shumë se të dhënat e vitit të kaluar.

Ka pasur rritje të kredidhënies dhe për muajin shkurt. Kredi dhënia ka qenë e shpërndarë në sektorët ekonomisë. Sa i përket aktivitetit të bizneseve fundi i vitit 2021 regjistroi një rritje të regjistrimit të bizneseve. Në Mars kemi rritje më shumë regjistrime se çregjistrime.

Na ka shqetësuar më shumë ecuria e inflacionit. Duke qenë se ka pasur rritje ekonomike të përshpejtuar kërkesa ka bërë që çmimet të rriten ndërsa oferta ka qenë më e munguar.

Në Shqipëri çmimet kanë qenë më të kontrolluara. Shifrat më shqetësuese ka qenë rritja e inflacionit për ushqimet dhe pijet alkoolike. Presim që inflacioni të pësojë rritje në muajit në vijim.

Në fillim të vitit të presim 4% rritje ndërsa tani presim deri në 3%. Kemi shkurtuar një pjesë të investimeve publike dhe shpenzimeve operacionale për të krijuar hapësirë për paketën e rezistencës sociale”, deklaroi Ibrahimaj.