AKTUALITET, 11 Qershor 2023, 18:30

Rrëshqitje masive dherash, në rrezik ura që lidh fshatin me qytetin e Korçës

Rrëshqitje masive dherash, në rrezik ura që lidh fshatin me
Ura e bllokuar nga dherat

Rrëshqitja e një masivi të madh dherash nga mali i fshatit Dushar, në Njësinë Administrative Moglicë, rrezikon seriozisht urën e rrugës kryesore të këtij fshati duke bllokuar kështu prej dy ditësh lëvizjen e banorëve.

Situata e vështirë është krijuar si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dherash nga shpati i malit pranë zonës, ndërsa raportohet se po punohet për të shpëtuar këmbët e urës në një vend me probleme të madha hidrogjeologjike.

E gjithë kjo situatë sipas kryetarit të Bashkisë së Maliqit Gezim Topçiu është krijuar nga reshjet e shumta të shiut të ditëve të fundit. Nga ana e ndërmarrjes së rrugëve rurale prej dy ditësh po punohet për largimin e dherave dhe inerteve, por sasia e madhe e tyre që zbret nga mali e bën tejet të vështirë punën për shpëtimin e kësaj ure që bën të mundur lëvizjen e gati 100 banorëve të fshatit Dushar.

Kjo situatë është krijuar nga reshjet e shirave që kanë përfshirë juglindjen e vendit ditëve të fundit ndërkohë që në terren kanë zbritur punonjës së ndërmarrjes së rrugëve që po bëjnë të mundur largimin e këtij masivi dherash që rrezikon seriozisht urën e fshatit e në këtë mënyrë izolon dhe qindra banorë.