TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në Itali është kapur një shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Policia thotë si i arrestuari ishte shpallur në kërkim ”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në vitin 2021, në Velipojë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri katër qytetarë.
I arrestuari është shtetasi me iniciale E. D., 19 vjec, i dyshuar për vrasjen në Velipojë. Konflikti për disa metra territor plazh në Velipojë përfundoi me katër të vrarë dhe dy të plagosur, duke tronditur kështu jo vetëm zonën, por të gjithë vendin në një kohë kur sapo kishte filluar plazhi në vitin 2021.
Nga konflikti me armë, Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38-vjeç dhe Musaen Zeneli vetëm 20 vjeç mbeten të vdekur. 20-vjeçari kishte filluar punë si kamerier në hotelin e Gocaj, por plumbat i morën jetën.
Njoftimi i plotë
Vijon bashkëpunimi i suksesshëm më partnerët, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, një shtetas shqiptar i kërkuar për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.
Falë inteligjencës policore, bashkëpunimit të ngushtë me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri, si dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale me Interpol Romën, u finalizua nga Policia italiane, operacioni policor i koduar “Rimini”.
Strukturat e Policisë së Shtetit, prej disa ditësh, kishin siguruar informacion se në zonën e Riminit fshihej një shtetas i kërkuar për vrasje. Interpol Tirana bashkëpunoi ngushtë me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe me homologët e Interpol Romës, për shkëmbimin në kohë reale të këtij informacioni.
Policia e Riminit, bazuar në këto informacione, organizoi operacionin policor të koduar “Rimini”, në kuadër të të cilit lokalizoi, kapi dhe shoqëroi shtetasin e kërkuar ndërkombëtarisht, autor të dyshuar për vrasje.
Pas verifikimeve të thelluara të kryera ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj italiane, mëngjesin e sotëm është bërë identifikimi i shtetasit të shoqëruar E. D., i cili u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Shtetasi E. D. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Tirana, për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në vitin 2021, në Velipojë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, 4 shtetas.
Policia e Shtetit falënderon homologët italianë dhe zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri, për bashkëpunimin e shkëlqyer policor në interes të të dy vendeve dhe më gjerë.